Kılıç: Besojmë në gjyqësorin e Kosovës ashtu siç presim t'i besohet edhe drejtësisë turke
Lidhur me arrestimin e shtetasit turk Uğur Toksoy në Kosovë, i dyshuar i organizatës terroriste FETO, Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, tha se kanë besim në gjyqësorin e Kosovës
Prishtinë
PRISHTINë (AA) - Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, në një deklaratë për media në ambientet e Ambasadës së Turqisë në kryeqyetet, vlerësoi arrestimin e shtetasit turk, Uğur Toksoy, i cili u arrestua në qytetin e Prizrenit ditën e premte dhe i cili është i dyshuar si anëtar i Organizatës Terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e saj, Kılıç theksoi se në bazë të një urdhër arresti të gjykatës së dytë penale në Hatay të Turqisë, Uğur Toksoy është akuzuar si anëtar i organizatës terroriste të armatosur FETO/PYD, duke bërë të ditur se nga autoritetet e Kosovës është kërkuar arrestimi dhe ekstradimi i tij në Turqi.
Kılıç po ashtu rikujtoi se është marrë vendimi i paraburgimit 40-ditor për Toksoy dhe, siç tha ajo, çështja është aktualisht në duart e gjyqësorit të Kosovës, duke shprehur besimin se gjyqësori kosovar do të japë vendimin e duhur për personin në fjalë.
"Ne besojmë në gjyqësorin e Kosovës dhe, ashtu siç besojmë ne, presim që t'i besohet edhe drejtësisë turke. Në fund të këtij procesi të cilin e kemi filluar ne si Republika e Turqisë, ky person që kërkojmë ekstradimin e tij do të ketë një proces gjyqësor në Turqi. Kërkesa jonë është kjo. Shteti i Kosovës, të cilin e konsiderojmë si një mik të Turqisë, ishte pranë nesh në luftën kundër terrorizmit deri më tani dhe besojmë se do të jetë pranë nesh edhe më tej", tha Kılıç.
Duke potencuar se shteti i Turqisë këtë kërkesë e ka bërë duke u nisur nga e drejta ndërkombëtare e çdo shteti, Kılıç tha se duhet të pritet vendimi i gjyqësorit pa ndërhyrë në këtë proces për një person i cili është arrestuar për pjesëmarrje në një organizatë terroriste të armatosur.
“Prej momentit të arrestimit të personit në fjalë, deklaratat e disa qarqeve lidhur me këtë proces, veçanërisht lidhur me Turqinë dhe ecurinë e proceseve gjyqësore në Turqi, kanë qenë të pabaza dhe me qëllim dezinformimi dhe në një formë edhe me qëllim për të ndikuar në procesin gjyqësor në Kosovë, për të cilat mund të them se kanë qenë të pakëndshme për ne dhe jemi ndier shumë të hidhëruar nga këto”, u shpreh ambasadorja Kılıç.
Kılıç tha se të gjitha masat në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste FETO, veçanërisht pas 15 korrikut, janë marrë pas ndarjes së informatave, në një proces transparent dhe me një dialog konstruktiv me organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
"Turqia është një shtet me rrënjë të thella. Kemi një republikë 94-vjeçare, por kemi një traditë shtetërore dy mijë vjeçare. Prandaj, kur dëgjojmë deklarata të ndryshme në lidhje me proceset gjyqësore në Turqi, fjalë si keqtrajtim, torturë dhe shtypje, ndihemi shumë të shqetësuar dhe, duke parë retorika të tilla, i konsiderojmë ato si një përpjekje shumë të hapur për të mashtruar gjyqësorin”, tha Kılıç.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
