BALLKANI

Haradinaj lirohet me kusht nga autoritetet franceze

Lirimin me kusht të Haradinajt e ka konfirmuar për AA edhe avokati i tij, Arianit Koci

Ömer Aydın, Sibel Vezaj  | 12.01.2017 - Përdıtësım : 13.01.2017
Haradinaj lirohet me kusht nga autoritetet franceze

Colmar

COLMAR (AA) - Ish-kryeministri dhe kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj lirohet me kusht nga autoritetet franceze, raporton Anadolu Agency (AA). 

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Apelit në Colmar, është dhënë vendimi për lirimin e Haradinajt, i cili ishte ndaluar në aeroportin Basel-Mulhouse-Freiburg me kërkesë të Serbisë. Gjykata ka deklaruar se janë në pritje të dokumenteve të nevojshme nga qeveria e Serbisë dhe se gjatë kësaj periudhe Haradinaj do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore. 

Nga ana tjetër, lirimin me kusht të Haradinajt e ka konfirmuar për AA edhe avokati i tij, Arianit Koci. 

Në bazë të lirimit me kusht, ai është i detyruar të paraqitet dy herë në javë tek policia franceze dhe ia kufizon ardhjen e tij në Kosovë. 

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i AAK-së, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. 

Ai në vitin 2015 ishte arrestuar në Slloveni dhe më pas është liruar. Ndërkaq Ministria e Drejtësisë e Serbisë kishte dërguar kërkesën deri te organet e drejtësisë franceze për ekstradimin e Haradinajt. 

Qeveria e Kosovës reagon për lirimin me kusht të Haradinajt

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se Qeveria e Kosovës, vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të Haradinajt e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë. 

“Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i Haradinajt, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh”, thuhet në njoftim nga Zyra e Kryeministrit.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthim sa më të shpejtë të Haradinajt në Kosovë si dhe për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletarresteve të paligjshme serbe.

AAK për lirimin me kusht të Haradinajt: Nuk është drejtësi e plotë 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas lirimit me kusht të liderit të partisë, Ramush Haradinaj, nga autoritetet gjyqësore franceze. AAK konsideron se moslejimi i Haradinajt të kthehet në atdhe nuk është drejtësi e plotë. 

"Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë. Ne apelojmë tek organet e drejtësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi“, thuhet në njoftim nga AAK. 

AAK po ashtu bën thirrje tek të gjithë mbështetësit e Haradinajt, që mbështetja të vazhdojë, të jetë civilizuese dhe e dinjitetshme. 

“Ne jemi të bindur se mbajtja e Haradinajt në Francë dhe procesi kundër tij, i iniciuar me fletarrest politik të Serbisë, do të marrë epilog pozitiv shumë shpejt“, thuhet së fundi në njoftim.

Rama dhe Meta reagojnë për lirimin me kusht të Haradinajt

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në profilin e tij në Facebook shkruan se mbyllet episodi absurd, duke shtuar se beteja për fshirjen e listës së urdhërarresteve të vjetra vazhdon 

“Është momenti për të vlerësuar përpjekjet politike dhe diplomatike të autoriteteve në Tiranë e në Prishtinë, si edhe për të falënderuar çdo qytetar kudo ku i dha zë përpjekjes së përbashkët kundër një padrejtësie spektakolare. Respekt për institucionet e drejtësisë franceze, që bënë drejtësi, një shembull më shumë për të çmuar vlerën jetike të drejtësisë së drejtë”, shkruan Rama.

Për këtë vendim ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. “Kryetari Meta gjykon se ky vendim është ende jo i plotë dhe beson se drejtësia franceze do të japë verdiktin e saj përfundimtar, duke e çliruar Kryetarin e AAK-së nga të gjitha akuzat e vjetra që vijnë nga Serbia. Ramush Haradinaj, duhet të kthehet sa më parë pranë familjes së tij në Kosovë e njerëzve të tij të dashur”, thekson Meta në reagimin e tij, publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.