BALLKANI

Grupi i tifozëve “Komitët” kërkojnë drejtësi për 21-vjeçarin Sazdovski

Pjesëmarrësit në protestë kërkuan nga autoritetet kompetente të kryjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, t’i gjejnë dhe t’i dënojnë ata që rrahën Sazdovskin

Besar Ademi  | 17.07.2018 - Përdıtësım : 17.07.2018
Grupi i tifozëve “Komitët” kërkojnë drejtësi për 21-vjeçarin Sazdovski Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Me iniciativë të grupit të tifozëve “Komitët”, qindra qytetarët marshuan rrugëve të Shkupit duke kërkuar drejtësi për 21-vjeçarin Nikolla Sazdovski, anëtar i këtij tifo-grupi, i cili ndërroi jetë si pasojë e një sulmi fizik ndaj tij në një lagje të Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëmarrësit në protestë kërkuan nga autoritetet kompetente të kryjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, t’i gjejnë dhe t’i dënojnë ata që rrahën Sazdovskin dhe, siç thanë ata, të mos përsëriten vrasje të tjera nëpër rrugët maqedonase.

Marshi protestues filloi nga sheshi i lagjes “Avtokomanda” të Shkupit, duke vazhduar drejt Prokurorisë Themelore Publike, ku dhe pjesëmarrësit ndezën qirinj për të përkujtuar Sazdovskin. Protestuesit u drejtuan drejt ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, por pasi nga forcat policore u parandaluan t’i afrohen ndërtesës, ata u shpërndanë në mënyrë paqësore.

Dy sulmuesit e të riut 21-vjeçar mbeten në paraburgim, ndërkohë policia është në kërkim të personit të tretë. Që të tre dyshohen se më 29 qershor kanë rrahur të riun Nikolla Sazdovski në një stacion të autobusëve në një lagje të Shkupit, i cili pas lëndimeve të marra si pasojë e rrahjes, dhjetë ditë qëndroi në gjendje kome, pas çka ndërroi jetë.

Nga prokuroria nuk zbulojnë hollësi për publikun mbi rastin në fjalë dhe theksojnë se “hetimi është në rrjedhë, ndërmerren veprime hetuese dhe grumbullohen dëshmi materiale”.

Opozita maqedonase akuzon Ministrinë e Brendshme për fshehjen e identitetit të tretë të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Nikolla Sazdovskit, duke theksuar se dyshojnë se “pas kësaj heshje të Ministrisë fshihen qëllime politike dhe përgatitje që të njëjtit t’i ndryshohet identiteti”.

Nga ana tjetër, autoritetet maqedonase, përfshirë edhe kryeministri Zoran Zaev, apeluan që rastit në fjalë të mos i jepet kahje etnike, politike ose fetare dhe t’i lehet Prokurorisë Publike të përfundojë hetimin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.