BALLKANI

Gruevski: Hungaria u përgjigj pozitivisht në kërkesën për azil

Gruevski tha se në kërkesën e tij për azil ka shkruar se po përballet me një përndjekje politike nga qeveria e re e LSDM-së, ndërsa ka theksuar se qeveria e re dëshiron ta privojë atë nga liria

Bekim Laci  | 20.11.2018 - Përdıtësım : 20.11.2018
Gruevski: Hungaria u përgjigj pozitivisht në kërkesën për azil

Shkup

SHKUP (AA) - Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, në profilin e tij në Facebook ka konfirmuar se Hungaria është përgjigj pozitivisht në kërkesën e tij për azil, të parashtruar në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gruevski tha se në kërkesën e tij për azil ka shkruar se po përballet me një përndjekje politike nga qeveria e re e Lidhjes Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM), ndërsa ka theksuar se qeveria e re dëshiron ta privojë atë nga liria "duke përdorur mjete jodemokratike dhe duke keqpërdorur sistemin e prokurorisë dhe atë gjyqësor në Maqedoni".

Ai thotë se autoriteteve hungareze u ka rrëfyer se gjithçka filloi me publikimin e audio-materialeve, sipas tij, të marra përmes rrugës joligjore dhe me emërimin e prokurorit Publik Special, që u shndërruan "në vegla partiake të LSDM-së". Ai po ashtu gjykatat i ka përshkruar të padrejta dhe se punojnë në mënyrë të parregullt me qasje diskriminuese ndaj tij.

“Dhash shembuj konkretë se në Republikën e Maqedonisë nuk ka kushte për proces gjyqësor fer, të drejtë dhe ligjor, dhe në këtë atmosferë të përndjekjes politike nga ana e qeverisë nuk ka kushte të mbroj jetën time, nga shkaku i shumë kërcënimeve që mora”, shkruan mes tjerash Gruevsk.

Siç shkruan ai, ka vendosur t'i kundërvihet kësaj dhe përmes kësaj rruge të çoj çështjen në një nivel më të lartë.

Ai shprehet se nuk ka ikur nga drejtësia, por përmes metodave juridike ndërkombëtare vazhdon të kërkojë drejtësinë për veten dhe për të gjitha, siç thotë, viktimat tjera të përndjekjes politike në Maqedoni.

“Deri në momentin e fundit, ndonëse pashë se më akuzonin padrejtësisht, megjithëse ishte e dukshme se gjykatësit para se të fillojë procesi gjyqësor dhe para se të shihnin provat, e dinin vendimin. Unë çdo ditë, si askush tjetër përballesha me sistemin e drejtësisë, deri në momentin kur qeveria e tanishme nuk vendosi të më fusë në burg përmes një vendimi politik të padrejtë, dhe më pas edhe të më likuidojë”, shkruan Gruevski, sipas të cilit, numri i të përndjekurve politik në Maqedoni është i madh.

Dje, më 19 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë thirri në takim ambasadorin hungarez në Shkup, Laszlo Istvan Dux, të cilit i kishte dorëzuar një notë proteste, duke kërkuar nga qeveria hungareze kthimin e Gruevskit në Maqedoni.

Kujtojmë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burg e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook më 13 nëntor shkroi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht se Gruevski ka dalë nga pika e kalimit kufitar e Hanit të Hotit në Qarkun e Shkodrës më 11 nëntor, duke përdorur një automjet në pronësi të Ambasadës hungareze në Tiranë. Më vonë, edhe policia e Malit të Zi konfirmoi se Gruevski ka kaluar nëpër territorin e saj drejt Serbisë, me ndihmën e dy diplomatëve hungarez në vend, ndërsa Serbia duke konfirmuar kalimin e tij nëpër territorin serb, tha se nuk kanë "mundur të arrestojnë një person që nuk është në kërkim".

Në kohën kur u arratis, Maqedonia nuk kishte lëshuar fletë-arrest ndaj Gruevskit. Në nivel kombëtar fletë-arresti u lëshua të hënën e kaluar, më 12 nëntor, ndërsa në nivel ndërkombëtar u lëshua një ditë më vonë, pas njoftimit të tij në Facebook se ndodhet në Budapest.

Ish-kryeministri maqedonas është dënuar me dy vjet heqje lirie për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz "Mercedes" në vlerë prej 570 mijë euro, ndërsa gjykohet edhe në disa raste të tjera për akuza që kanë të bëjnë me korrupsion e shpërdorime mjetesh financiare dhe vepra të tjera penale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.