BALLKANI

Gjuriç: Në vend të AKS-së, Prishtina dëshiron tutelë për serbët e Kosovës

"Dëshiroj të ju them se nuk kanë për ta parë një film të tillë, dhe se me siguri edhe serbët do të punojnë drejt formimit të një AKS-je, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit", tha Gjuriç

Bojana Stojanovic  | 07.04.2018 - Përdıtësım : 08.04.2018
Gjuriç: Në vend të AKS-së, Prishtina dëshiron tutelë për serbët e Kosovës Foto: Filip Stevanovic / AA

Beograd

BEOGRAD (AA) – Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën që funksionon brenda qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç, deklaroi se dokumenti i Prishtinës, “Mekanizmi i punës për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS), flet sipas tij se Prishtina në vend të AKS-së dëshiron të formojë një këshill për tutelë shqiptare mbi komunitetin serb të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

"Përfaqësuesit e Prishtinës, në vend që të formojnë AKS-në, po përgatisin organe të cilët do të duhet të luajnë rolin e një komisioni për tutelën shqiptare mbi komunitetin serb në Kosovë, që është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit", deklaroi Gjuriç, në një konferencë për mediat në Beograd.

Ai tha se pret reagimin e komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje.

"Dëshiroj të ju them se nuk kanë për ta parë një film të tillë, dhe se me siguri edhe serbët do të punojnë drejt formimit të një AKS-je, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit", tha Gjuriç.

Ai i prezantoi qeverisë së Serbisë një dokument të quajtur “mekanizmi i punës së AKS-së”, për të cilin tha se të premten Prishtina zyrtare ua ka prezantuar SHBA-ve dhe BE-së si një dokument zyrtar, me të cilin, synon të përmbys pohimet e mëparshme se do të formojë një AKS.

Duke folur mbi pikat e dokumentit të Prishtinës, Gjuriç tha se sot do të udhëtojë në Kosovë, për të kaluar Pashkët bashkë me serbët e atjeshëm, për çka tha se nuk i nevojitet një leje, por i mjafton njoftimi që ka bërë.

I pyetur për planin e përfaqësuesit të Listës Serbe që AKS të themelohet më 20 prill, Gjuriç tha se mendon se një gjë e tillë nuk është dhe aq reale.

Kujtojmë se më 26 mars, Marko Gjuriç kishte në hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në një debat për dialogun në Kosovë, përkundër asaj që MPJ e Kosovës nuk kishte dhënë leje për hyrje. Pas kësaj, Policia e Kosovës kishte arrestuar Gjuriçin në Mitrovicën e Veriut, duke e dërguar në një stacion policor në Prishtinë. Më pas, policia, bazuar në refuzimin për hyrje në vend, e kishte larguar nga territori i Republikës së Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.