BALLKANI

Bytyqi: Inspektorët e shkollave, garantuesit e cilësisë së arsimit

"Inspektorati i Arsimit duhet të luajë rol kyç në ngritjen e cilësisë së arsimit ndërsa për ta luajtur këtë rol kyç Inspektorati i Arsimit duhet të jetë një familje për tërë territorin e Kosovës", tha ministri Bytyqi

Zülfiya Yakup  | 24.10.2018 - Përdıtësım : 25.10.2018
Bytyqi: Inspektorët e shkollave, garantuesit e cilësisë së arsimit

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Roli i inspektorëve të arsimit duhet të jetë këshilldhënës dhe së bashku me drejtorët e shkollave ata duhet të jenë garantues të cilësisë së arsimit në Kosovë, deklaroi sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në hapjen e punëtorisë dy ditëshe “Inspektorati i Arsimit në Kosovë – Gjendja e tanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm“, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Bytyqi vlerësoi se kjo punëtori, të cilën e organizon Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me organizatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) është shumë e rëndësishme dhe se në të fillon faza e re e avancimit të institucionit të Inspektoratit të Arsimit në Kosovë.

“Inspektorati i Arsimit duhet të luajë rol kyç në ngritjen e cilësisë së arsimit ndërsa për ta luajtur këtë rol kyç Inspektorati i Arsimit duhet të jetë një familje për tërë territorin e Kosovës. Sistemi arsimor, arsimi në Kosovë është për të gjithë, është për të rinjtë tanë, të rinjtë të cilët i kemi pasurinë më të madhe në Kosovë. Për të realizuar këtë ne duhet të jemi një familje, nga ministria e deri te mësimdhënësi në shkolla. Pra, nuk duhet të kemi ndarje të çfarëdoshme, sepse po flasim për arsimin në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Ai theksoi se inspektorët dhe drejtorët duhet të punojnë së bashku, se nuk është qëllimi për të dëmtuar individët, por për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe se inspektorët e arsimit duhet të ndihmojnë drejtorët dhe mësuesit nëpërmjet këshillave dhe sugjerimeve, në vend që të jenë persekutuesit e dikujt. Ai gjithashtu vuri në dukje se reformat do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje ligjore që drejtorët e shkollave të jenë ekspertë dhe jo figura politike. Ministri porositi inspektorët e tanishëm se ata janë që duhet të identifikojnë se cilat janë nevojat e trajnimit të mësuesve, ndërsa pastaj të kërkojnë ndihmë nga Fakulteti i arsimit.

Një nga ligjëruesit në këtë seminar, eksperti nga Gjermania, Hans Hermann tha se arsimi i Kosovës është i ri dhe se deri më tani është arritur mjaft dhe se Kosova është në rrugën e duhur.

“Por, pa marrë parasysh se cilat vendime i merr ministri i Arsimit për ndryshime në sistemin arsimor, nuk mund të arrijmë rezultatet e menjëhershme, sepse nevojitet kohë, por mënyra është e nevojshme për të arritur qëllimin dhe ministri po e bën këtë. Fillojmë me këtë seminar dhe ky nuk është fundi, por fillimi i një procesi në të cilin ne duam të arrijmë qëllimin e dëshiruar”, tha Hermann.

Aktualisht janë 54 inspektorë të arsimit në Kosovë dhe Ligji i ri parasheh rritjen e numrit të tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın