BALLKANI

Britania mbështetje për zhvillimin e energjisë së Maqedonisë

Duncan përshëndeti marrëveshjen e arritur mes qeverisë maqedonase dhe greke, duke e vlerësuar si “hap të mrekullueshëm për të ardhmen e vendit”

Besar Ademi  | 18.09.2018 - Përdıtësım : 19.09.2018
Britania mbështetje për zhvillimin e energjisë së Maqedonisë ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - Mbretëria e Bashkuar përmes një fondi me vlerë prej afër 1 milion dollarë amerikan do të ndihmojë Maqedoninë për krijimin e një strategjie të energjisë, e cila parashikon që në 30 vitet e ardhshme të tregojë zhvillimin e sektorit të energjisë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Memorandumi për bashkëpunim u nënshkrua në një restorant në Kanjon Matka nga ana e zv/kryeministrit maqedonas për çështje ekonomike, Koço Angjushev dhe ministri britanik për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan, ku i pranishëm ishte edhe ministri maqedonas i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, të cilët më herët zhvilluan një takim.

Zv/kryeministri Angjushev në fjalën e tij pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim shprehu bindje strategjia që do të krijohet tani do të japë një kornizë për zhvillimin e energjisë në Maqedoni. Ai shtoi se në strategji përveç aspektit të energjisë do të parashikohen edhe aspektet e ekologjisë, respektivisht si energjia do të ndikojë në mjedisit jetësor në Maqedoni.

“Strategjia e energjisë lind si një detyrim në Ligjin për energji që Maqedonia e miratoi në muajin maj të këtij viti dhe ai parashikon periudhën prej 30 viteve, kështu që do të tregojë si Maqedonia do të zhvillohet në energji në 30 vitet e fundit”, tha zv/kryeministri Angjushev.

Ndërsa ministri Bekteshi bëri të ditur se pritet që vitin e ardhshëm të përfundohet strategjia kushtuar sektorit të energjisë së Maqedonisë, duke u shprehur se, “Me këtë, si qeveri do të kemi drejtimin e vërtetë në atë se si do të zhvillohet ky sektor shumë i rëndësishëm i Maqedonisë, duke marrë parasysh edhe mbrojtjes e mjedisit dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë të ardhme më të sigurtë të kapaciteteve të energjisë në Maqedoni”.

Ndërkaq, ministri britanik, Duncan, nga ana e tij theksoi se çdo vend ka nevojë për energji të sigurtë, energji të ndryshme dhe energji që është e ndjeshme ndaj mjedisit.

“Fondi është në vlerë prej afërsisht 1 milion dollarë. Është një shumë në të holla për të ndihmuar në krijimin e një strategjie të duhur të sektorit të energjisë në vend, në mënyrë që ju të mund të siguroni furnizime të energjisë së ndryshme dhe ekologjikisht moderne”, tha Duncan.

Duncan: Marrëveshja me Greqinë, hap i mrekullueshëm për të ardhmen e vendit

Duncan iu referua edhe referendumit të 30 shtatorit që do të mbahet në Maqedoni, duke u bërë thirrje qytetarëve, në veçanti të rinjve, për të marrë pjesë në mënyrë masivie në votim. Ai përshëndeti marrëveshjen e arritur mes qeverisë maqedonase dhe greke, duke e vlerësuar si “hap të mrekullueshëm për të ardhmen e vendit” dhe duke shprehur bindje se ajo do të sigurojë që populli të marrë pjesë në referendum.

“Mendoj se kjo do të jetë një hap i madh përpara për Maqedoninë dhe shpresoj që çdo kush, veçanërisht të rinjtë, do të kenë interes në këtë vendim. Ky është një vendim për ju, jo për mua si ministër i një vendi tjetër t’iu tregoj çfarë të bëni, por gjithçka që mund të them është ‘ju lutem merrni pjesë’ dhe të gjithë të rinjtë të shohin të ardhmen dhe të kuptojnë se ky është një hap përpara që do ta çojë Maqedoninë në një botë të gjerë, duke u bashkuar me vendet tjera në organizata si NATO dhe BE”, deklaroi ministri britanik, Duncan.

Ndryshe, Duncak qëndron në Maqedoni për vizitë zyrtare, ku do të takojë edhe ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Nikolla Dimitrov, ku do të diskutojë për situatën e brendshme politike dhe agjendat reformuese të NATO-s dhe BE-së në Maqedoni, si dhe aktivitetet përgatitore lidhur me realizimin e suksesshëm të referendumit të 30 shtatorit.

Vizita e ministrit Duncan paraqet edhe një vërtetim ndaj intensitetit të rritur të dialogut midis dy vendeve gjatë viteve të kaluar, veçanërisht pas vizitës historike të kryeministres britanike, Theresa May, në Maqedoni më 17 maj të këtij viti.

Më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.