Azem Vllasi në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë
Sot në Prishtinë në orët e mëngjesit është plagosur avokati Azem Vllasi

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Sot në orët e mëngjesit në Prishtinë është plagosur avokati Azem Vllasi. Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, Bastri Lenjani bëri të ditur se gjendja e Vllasit është stabile dhe jashtë rrezikut. Ai njoftoi se Vllasi nuk ka patur nevojë t’i nënshtrohet ndonjë operacioni, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media para QKUK-së, drejtori Lenjani tha se i plagosuri Vllasi pas trajtimit mjekësor dhe diagnostifikimit në klinikën emergjente është transferuar në klinikën e Traumatologjisë, për trajtim të mëtutjeshëm.
“Sa i përket lëndimit, bëhet fjalë për një lëndim në pjesën e shpatullës. Nuk ka gjakderdhje e cila mund ta komplikojë gjendjen e tij shëndetësore, ka vetëm një vrimë hyrëse të plumbit dhe nuk ka vrimë dalëse”, tha Lenjani.
Presidenti Thaçi: Autoritetet përkatëse ta sjellin para drejtësisë autorin e sulmit
Lidhur me rastin ka reaguar edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Me shqetësim pranova lajmin për plagosjen e avokatit Azem Vllasi. Aktet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme në një shoqëri, e cila prioritet kryesor ka forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Avokatit Vllasi i uroj shërim të shpejtë, ndërsa nga autoritetet përkatëse pres që ta sjellin përpara drejtësisë autorin e këtij krimi”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social.
OAK reagon ndaj sulmit dhe plagosjes së avokatit Azem Vllasi
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) dënon ashpër sulmin që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit, me ç’rast është plagosur avokati, Azem Vllasi.
Në një komunikatë nga OAK thuhet se kjo odë shpreh shqetësimet për kanosjet, kërcënimet dhe sulmet fizike që janë duke u bërë ndaj avokatëve kohëve të fundit në Republikën e Kosovës.
“OAK kërkon nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe aktorët e këtij akti të shëmtuar të dalin para drejtësisë. Oda e Avokatëve të Kosovës rikujton detyrimet e qeverisë dhe organeve përkatëse të saj për të garantuar pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të profesionit të avokatit. Institucioni i avokatisë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e rendit dhe vënien e sundimit të ligjit, dhe çdo akt i drejtuar kundër avokatit derisa ai e ushtron profesionin e vet, është njëkohësisht edhe sulm kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet nga OAK.
Sipas OAK rastet e tilla nuk janë rastësi, por një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane.
“Por, pavarësisht kësaj, ne do të qëndrojmë dhe nuk do të dorëzohemi nga çfarëdo kërcënimi për të arritur synimet tona dhe gjeneratave që në të ardhmen të mbrojmë shtetin e së drejtës. Do e mbrojmë profesionin e avokatit, siç mbrohen në tërë botën e civilizuar e demokratike”, thuhet në komunikatë.
OAK kërkon zbulimin e vrasësve të lirisë dhe të pavarësisë së avokatisë, të cilët sipas tyre përfaqësojnë dhe mbrojnë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Policia e Kosovës: Vrasje në tentativë
Në një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës thuhet se sot rreth orës 08:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe që menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: A. V, mashkull, 68 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në njoftim nga PK.
Ndryshe, avokati kosovar, Azem Vllasi sot në orët e mëngjesit u plagos në një tentativë për vrasje me armë zjarri. Policia e Kosovës ka njoftuar se po ndërmerr një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.