"Arrest shtëpie" për ish-mësuesen e arrestuar në Shkodër
Ndërkohë për publikimin e videos reagoi edhe Medreseja e Shkodrës si dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë

Tiranë
TIRANË (AA) -Ndaj ish-mësueses e cila ka qenë e punësuar me kohë të pjesshme në Medresenë Haxhi Sheh Shamia në Shkodër është vendosur nga gjykata masa "arrest shtëpi", pasi u arrestua me akuzën për “Nxitje të urrejtjes ose grindjeve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Mësuesja me inicialet E.A u arrestua pas publikimit të një videoje në një televizion, ku pretendohet se ajo bën propagandë për organizatën terroristë DEASH, ndërsa vendimi për lënien e saj në "arrest shtëpie" është marrë sot nga Gjykata e Shkodrës.
Ndërkohë për publikimin e videos reagoi edhe Medreseja e Shkodrës si dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë.
"Medreseja është institucion i shërbimit arsimor parauniversitar dhe vepron në bazë të legjislacionit shqiptar dhe filozofisë së KMSH-së (Komuniteti Musliman i Shqipërisë). Ne, si stafi drejtues dhe ai pedagogjik jemi distancuar menjëherë, qartë dhe unanimisht nga ky opinion dhe mendimet e mësueses në fjalë, mendime këto të transmetuara në video-regjistrim. Theksojmë se kjo mësuese në periudhën që ka punuar në Medrese ka qenë me kohë të pjesshme dhe se në këtë vit shkollor nuk është pjesë e stafit pedagogjik të shkollës", thuhet në një deklaratë zyrtare nga Medreseja Haxhi Sheh Shamia.
Ndërsa Ministria e Arsimit në një reagim në lidhje me këtë rast thekson se "Opinionet janë shprehura nga Emine Alushi, gjatë një orë mësimi, në vitin 2015, kohë kur ajo ka qenë aktivizuar si mësuese me kohë të pjesshme në atë institucion arsimor. Alushi nuk e ka ushtruar më detyrën e mësueses gjatë vitit shkollor aktual. MAS e dënon më forcë rastin dhe e konsideron të papranueshëm këtë përpjekje radikale për të përhapur pikëpamje ekstremiste gjatë një ore mësimore si dhe kërkon nga organet kompetente marrjen e masave të plota për të verifikuar të gjitha rrethanat që qëndrojnë prapa tij. Shkollat tona kanë qenë, janë dhe do të mbeten institucione që kultivojnë vlera të larta demokratike dhe atdhetare tek brezi i ri i vendit, duke refuzuar çfarëdo përpjekjeje për radikalizëm apo ekstremizëm."