BALLKANI

“Kroacia është partnere e Kosovës në shërbim të paqes në rajon”

Presidenti Thaçi me presidenten kroate ka bashkëbiseduar për thellimin e marrëdhënie bilaterale, rritjen e shkëmbimit tregtar si dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike të Kosovës

Sibel Vezaj  | 25.09.2018 - Përdıtësım : 25.09.2018
“Kroacia është partnere e Kosovës në shërbim të paqes në rajon”

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York ka zhvilluar një takim me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, transmeton Anadolu agency (AA).

Në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi presidenti Thaçi me presidenten kroate ka bashkëbiseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale, rritjen e shkëmbimit tregtar si dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike të Kosovës.

“Kosova është mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën e jashtëzakonshme në shtet-ndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhme të sigurt në rrugën euroatlantike, veçmas në BE dhe NATO”, ka theksuar presidenti Thaçi.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe si një ndër aktorët kryesorë rajonalë është partnere e Kosovës në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon dhe kemi një partneritet tradicional”, ka shtuar presidenti kosovar.

Presidenti Thaçi dhe presidentja Grabar-Kitaroviq kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke u theksuar se në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York presidenti Thaçi ka zhvilluar shumë takime me krerë të shteteve të ndryshme të botës, në njoftim thuhet se ai do të vazhdojë takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral, të shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.