Analizë

Rezervat e litiumit do ta transformojnë Afganistanin në një ekonomi të orientuar drejt tregut

Analistët besojnë se fokusi po zhvendoset në Afganistan për të shfrytëzuar rezervat e mëdha të litiumit në këtë vend

Syed Iftikhar  | 17.12.2021 - Përdıtësım : 20.12.2021
Rezervat e litiumit do ta transformojnë Afganistanin në një ekonomi të orientuar drejt tregut

Ankara

Iftikhar Gilani

Angazhimet të cilat shtetet i kanë marrë në Konferencën e paradokohshme të përfunduar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP26 në masë të madhe varen nga rikthimi i paqes dhe stabilitetit në Afganistan, pasi rezervat e mëdha të litiumit në këtë vend premtojnë se mund të plotësojnë nevojat globale të energjisë jokonvencionale.

Analistët besojnë se fokusi po zhvendoset në Afganistan për të shfrytëzuar rezervat e mëdha të litiumit të vendit, të cilat përdoren në bateri për karikimin e telefonave celularë, laptopët dhe automjetet elektrike dhe hibride.

Argjentina, Bolivia dhe Kili, të njohura si vendet e "trekëndëshit të litiumit", besohet se kanë rezervat më të mëdha në botë të litiumit, e quajtur nafta e shekullit 21.

Por, duke qenë se transporti nga Amerika e Jugut është joekonomik për vendet aziatike që kanë nevojë për energji, ata tani po i mbështesin shpresat e tyre në rivendosjen e paqes në Afganistan për të përdorur litiumin në fqinjësi. Kohët e fundit, gazeta britanike "Financial Times" raportoi se depozitat e litiumit në Afganistan mund të përputhen me ato në "trekëndëshin e litiumit".

Sipas Elif Nuroglu, e cila drejton Departamentin e Ekonomisë në Universitetin Turko-Gjerman (TAU), litiumi, ashtu si nafta, po bëhet me shpejtësi një produkt strategjik.

“Ashtu si nafta, litiumi me siguri mund të përdoret si armë sepse do të përdoret në shumë fusha në të ardhmen, nga prodhimi i makinave deri te robotët dhe makinat autonome”, tha ajo.

Gazeta britanike zbuloi se një grup përfaqësuesish të industrisë minerare kineze vizituan së fundmi Afganistanin për një inspektim në vendngjarje dhe për të siguruar një leje për nxjerrjen e xeheve, edhe pse Afganistani po përballet me një krizë të thellë financiare dhe humanitare.

E përditshmja kineze "Global Times" përmendi se pasiguritë në lidhje me politikën, sigurinë, ekonominë dhe infrastrukturën e dobët në Afganistan paraqesin vështirësi për industrinë minerare.

Garanci të sigurisë

Analistët theksojnë se çdo minierë dhe prodhim do të varej nga ajo që talebanët të ofrojnë garanci të sigurisë për investimet kineze.

“Talebanët mund të konsiderojnë sigurimin e personelit të sigurisë për projektet kineze, të ngjashme me atë që bëri Pakistani për projektet CPEC (Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan)”, thotë Claudia Chia, një analiste në Institutin e Studimeve të Azisë Jugore të Universitetit Kombëtar të Singaporit.

Kompanitë kineze ishin përfshirë tashmë në disa projekte të mëdha në Afganistan, përfshirë projektin e minierës së bakrit Aynak, e cila është miniera e dytë më e madhe e bakrit në botë. Por, për shkak të paqëndrueshmërisë së vendit dhe luftimeve të vazhdueshme, nxjerrja e mineralit shkoi ngadalë dhe përfundimisht u ndal.

Një raport i Inspektorit të Përgjithshëm Special të SHBA-së për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) ka gjetur miniera të shfrenuara të paligjshme në të gjithë Afganistanin, me më shumë se 2.000 vende të tilla që grumbullonin para për komandantët e luftës dhe kryengritjen gjatë dy dekadave të fundit, në prani të trupave amerikane dhe aleate. Raporti zbuloi se minierat ilegale i kishin kushtuar shtetit deri në 300 milionë dollarë në vit nga viti 2001 deri në vitin 2021, deri në marrjen e Kabulit nga talebanët.

Në një hulumtim të kryer në vitin 2010, gjeologët dhe studiuesit që punonin për ushtrinë amerikane kishin vlerësuar vlerën e burimeve të litiumit të Afganistanit, të përhapur në Ghazni, Herat dhe Nimroz në 3 trilionë dollarë.

Bloomberg New Energy Finance (BNEF) - një provajder kërkimi strategjik që mbulon mallrat globale deklaroi se kontrolli i depozitave të pashfrytëzuara të litiumit dhe reserseve të rralla të tokës në Afganistan do t'i jepte një avantazh Pekinit në garën e tij me SHBA-në dhe Evropën për burime. Në vitin 2019, SHBA-ja importoi 80 për qind të mineraleve të rralla të tokës nga Kina ndërsa BE-ja 98 për qind.

"Nëse Afganistani ka disa vite qetësi, duke lejuar zhvillimin e burimeve të tij minerale, ai mund të bëhet një nga vendet më të pasura në rajon brenda një dekade", tha Mirzad nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së për revistën "Science" në vitin 2010.

Deri në vitin 1979, ai ishte kreu i Shërbimit Gjeologjik të Afganistanit.

Zbulimi sovjetik

Burimet e litiumit në Afganistan u zbuluan për herë të parë nga ekspertët sovjetikë të minierave në vitet 1980. Por, ata e kishin mbajtur atë sekret të ruajtur nga afër deri në vitin 2004, kur një ekip gjeologësh amerikanë gjetën një seri intriguese tabelash dhe të dhënash të vjetra në bibliotekën e Shërbimit gjeologjik afgan në Kabul.

I armatosur me hartat e vjetra ruse, Shërbimi gjeologjik i SHBA-së (USGS) filloi një seri vëzhgimesh ajrore të burimeve minerale të Afganistanit, duke përdorur gravitet të avancuar dhe pajisje matëse magnetike të bashkangjitura në një avion vëzhgimi P-3 Orion. Në vitin 2007, ata përdorën një bombardues britanik të pajisur me instrumente që ofronin një profil tredimensional të depozitave minerale nën sipërfaqen e tokës.

Në vitin 2009, kur një grup pune i Pentagonit që kishte krijuar programe të zhvillimit të biznesit në Irak u transferua në Afganistan, ata sollën ekspertë të minierave për të vërtetuar gjetjet e hulumtimit dhe më pas informuan presidentin afgan Hamid Karzai dhe sekretarin e mbrojtjes të SHBA-së, Robert Gates.

Asetet e litiumit dhe kobaltit të Afganistanit janë kritike jo vetëm për Kinën, por edhe për një ekonomi tjetër të madhe, Indinë.

India ka shpenzuar 3 miliardë dollarë në ndihmë në Afganistan në të kaluarën për të fituar vullnetin e mirë. Por, ka qenë në mosmarrëveshje me talebanët, të cilët po luftonin kundër pranisë së trupave të huaja.

Tani duket se New Delhi ka vendosur të pranojë marrjen e Kabulit nga talebanët. Kohët e fundit, ajo ka shtrirë iniciativat për sundimtarët e rinj duke dërguar ndihma humanitare.

India po synon rreth 450 Gigavat (Gw) të kapacitetit të instaluar të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030. Në COP26, kryeministri Narendra Modi njoftoi se India do të jetë zero neto deri në vitin 2070, që do të thotë se emetimet e gazrave serrë të prodhuara, do të balancohen nga ato që absorbohen.

Interesi i Indisë

India aspiron të bëhet prodhuesi i dytë më i madh në botë i telefonave celularë. Sipas Politikës Kombëtare për Elektronikën, e prezantuar në vitin 2019, vendi planifikon të prodhojë 1 miliard telefona celularë, përfshirë 600 milionë njësi për eksport. Të gjitha këto objektiva, megjithatë, janë të lidhura me disponueshmërinë e litiumit. India aktualisht e merr atë nga Argjentina, Bolivia dhe Kili.

Vëzhguesit besojnë se industritë e lëvizshme dhe jo-konvencionale të Indisë do të marrin një nxitje të madhe nga shtrirja diplomatike me talebanët dhe normalizimi i marrëdhënieve me Pakistanin për të kërkuar qasje të lehtë në burimet e pasura minerale të Afganistanit.

Sipas një buletini të USGS, përveç përdorimit të tij në bateri, litiumi përdoret edhe në teknologjinë bërthamore. Meqenëse është rezistent ndaj nxehtësisë, është i lidhur me alumin dhe bakër për të kursyer peshë në komponentët strukturorë të kornizës së ajrit. Përdoret gjithashtu në disa medikamente psikiatrike dhe në qeramikë dentare.

Bazuar në hulumtimet e gjera të mineraleve, USGS ka arritur në përfundimin se Afganistani mund të mbajë 60 milionë tonë metrikë bakër, 2.2 miliardë tonë mineral hekuri, 1.4 milionë tonë elemente të rralla të tokës (REE) si lantanumi, cerium, neodymium, përveç venave prej alumini, ari, argjendi, zinku dhe merkuri.

Analiza fillestare e një zone në provincën Ghazni tregoi potencialin për depozita litiumi aq të mëdha sa ato të Bolivisë, e cila ka 21 milionë tonë rezerva, deri më tani, më e madhja në botë.

E varur nga ekonomia e pavarur

Depozitat e Khanashin, në rrethin Reg të provincës Helmand, pritet të prodhojnë 1.1-1.4 milionë tonë metrikë REE.

Afganistani ka qenë prej kohësh një vend i varur nga ndihma e huaj. Perspektiva e nxjerrjes së litiumit dhe bakrit mund ta transformojë ekonominë e paqëndrueshme dhe të varur nga ndihma e Afganistanit në një ekonomi të qëndrueshme dhe të orientuar drejt tregtisë.

Megjithatë, pa paqen dhe stabilitetin, si dhe drejtimet përfundimtare të politikave nga administrata e re e përkohshme, shfrytëzimi i burimit të ri strategjik, i cili ka potencialin për të transformuar pasuritë e Afganistanit duke e bërë atë të pasur me energji, do të mbetet një ëndërr. E vërteta është se mineralet nuk kanë vlerë për sa kohë që mbeten nën tokë.

*Mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın