Bota, Analizë

Koalicioni i Detit të Kuq: Pse vendet kryesore arabe nuk participojnë?

Shtetet arabe "nuk janë aq të etura që të hynë në një luftë me Huthi-t, ndoshta sa vendet perëndimore", thotë Joost Hiltermann, drejtor i programit MENA në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

Rabia Ali  | 20.12.2023 - Përdıtësım : 21.12.2023
Koalicioni i Detit të Kuq: Pse vendet kryesore arabe nuk participojnë?

Istanbul

Pas njoftimit të SHBA-së për koalicionin prej 10 vendesh kundër sulmeve të grupit Huthi në Detin e Kuq, analistët kanë nxjerr në pah mungesën e dukshme të vendeve arabe në forcat e koalicionit, duke sugjeruar për një hezitim nga ana e vendeve arabe që të përfshihen në një konfrontim të drejtpërdrejtë me rebelët jemenas.

Pjesë e forcave shumëkombëshe patrulluese, të udhëhequra nga SHBA, janë edhe Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Franca, Italia, Holanda, Norvegjia, Spanja dhe Sejshelli, së bashku me Bahrejnin, shtetin e vetëm të Gjirit.

Qëllimi i këtij koalicioni është të pengojë Huthi-t, të cilët kanë goditur anijet e transportit me raketa dhe dronë në vazhdën e luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, gjë që ka detyruar linjat kryesore të anijeve të pezullojnë lëvizjet ose të ndryshojnë kursin e dërgesave të naftës dhe karburantit nga një prej rrugëve detare më të ngarkuara në botë.

"Unë nuk mendoj se shtetet arabe janë aq të etura që të hynë në një luftë me Huthi-t, ndoshta sa vendet perëndimore", tha Joost Hiltermann për Anadolu, drejtor i programit MENA në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Ai tha se shtetet perëndimore gjithashtu do të preferonin të "formonin një forcë parandaluese" se sa të angazhohen në konflikt të drejtpërdrejtë.

Sa i përket Arabisë Saudite, tha ia, mbretëria "nuk ka interes" të hyjë në koalicion pasi ajo "po kërkon të dal nga lufta në Jemen, jo të zhytet më thellë në të".

Arabia Saudite "është e përfshirë thellë në negociata me Huthi-t", kështu që bashkimi me "një koalicion të tillë do të nënkuptonte prishje të këtyre bisedimeve", tha ai.

Në përgjithësi, shtetet arabe janë "kryesisht në rregull" me vendet perëndimore që e marrin këtë rol, "sepse ata kanë interes të përbashkët në lëvizjen e lirë të qarkullimit tregtar".

Ibrahim Jalal, studiues jorezident në Institutin e Lindjes së Mesme, beson se ka arsye të shumta që Arabia Saudite dhe EBA qëndrojnë jashtë forcave të koalicionit.

Së pari, ka “pakënaqësi të madhe me SHBA-në” dhe ka një “krizë besimi midis partnerëve strategjikë”, tha ai.

E dyta, sipas Jalal, është kërcënimi i Huthi-ve për rifillimin e sulmeve ndërkufitare, kështu që Arabia Saudite dhe EBA "kanë prioritetet e tyre kombëtare që nuk përshtaten domosdoshmërisht me qëndrimin amerikan".

Faktori i tretë është se asnjë vend nuk dëshiron të shihet se vepron "në mbrojtje të Izraelit", tha ai.

"Së fundmi, është një mënyrë në të cilën këto vende përpiqen të riafirmojnë një shkallë pavarësie në politikëbërjen e tyre të jashtme dhe të mbrojtjes, për t'i komunikuar SHBA-së, veçanërisht, se ato nuk janë të interesuara për reagime, por në vend të kësaj në një angazhim strategjik dhe të llogaritur në rajon në prapavijë të forcimit apo agresionit të SHBA-së në rajon”, tha Jalal.

Megjithatë, ai shtoi se vlen të përmendet se Arabia Saudite mbetet pjesë e Forcave të Kombinuara Detare, një partneritet shumëkombësh detar prej 38 anëtarësh i udhëhequr nga SHBA, nga i cili EBA u tërhoqën në fillim të majit.

Jalal formimin e koalicionit të ri e sheh si "pranim të dështimit në menaxhimin e konfliktit".

Për të, duket si një masë "kozmetike" dhe "jo një zgjidhje strategjike".

"Mendoj se kemi pasur një dështim të madh në arkitekturën e sigurisë në rajon dhe ky është vetëm një reflektim i atij dështimi, qoftë në hapësirën ajrore apo atë detare", tha ai.

Jalal theksoi nevojën për një qasje bashkëpunuese që del nga rajoni, në vend që "thjesht të krijohen koalicione të mëdha ndërkombëtare".

“Atëherë, bashkëpunimi i sigurisë mund të jetë më strategjik në aspektin e mbështetjes, në aspektin e mobilizimit, në drejtim të koordinimit në mbështetje të lirisë së lundrimit”, tha ai.

Sipas Hiltermann-it, Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore janë "thellësisht të shqetësuara për rrjedhën e naftës dhe transportin e përgjithshëm përmes Detit të Kuq dhe ngushticës Bab el-Mandeb në veçanti", duke iu referuar vendkalimit të ngushtë në majën e saj jugore, ku Huthi-t kanë sulmuar disa anije që ishin nisur për në Izrael.

“Motivi ishte qartazi për të frenuar Huthi-t dhe për t'i parandaluar ata që të qëllonin anijet tregtare, duke pasur parasysh se Deti i Kuq është një rrugë detare jetike për transportin e naftës, por edhe të mallrave në përgjithësi”, tha ai, duke shtuar: "Pra, pyetja e vërtetë është nëse kjo mund të jetë efektive, e që është e pamundur të thuhet".

Megjithatë, ai beson se është "sigurisht një pengesë, sepse nëse Huthi-t vazhdojnë të qëllojnë anijet tregtare, atëherë fuqia e zjarrit nga këto anije perëndimore mund të bëjë një ndryshim".

- Ndikimi ekonomik

Deti i Kuq është i lidhur me Mesdheun me anë të Kanalit të Suezit, duke krijuar rrugën më të shkurtër të transportit midis Evropës dhe Azisë.

Ditët e fundit, kompanitë kryesore të anijeve kanë braktisur rrugën, duke zgjedhur rrugën shumë më të gjatë rreth Afrikës.

Hiltermann tha se situata po ndikon në tregjet globale, kështu që të gjitha vendet, jo vetëm SHBA, kanë interes për ta zgjidhur problemin "që është ajo që po motivon themelimin e një koalicioni për t'iu kundërvënë sulmeve të Huthi-ve".

Lidhur me implikimet ekonomike, ai tha se kompanitë e sigurimeve, veçanërisht të transportit tregtar, po rrisin tarifat e tyre, gjë që po rrit kostot.

“Do të ketë vonesa, veçanërisht nëse anijet vendosin se nuk ia vlen rreziku dhe kostoja për ta, dhe ata do të shmangin Detin e Kuq, që do të thotë se do të duhet të shkojnë rreth kontinentit afrikan, gjë që do të çojë në vonesa të dërgimit të mallrave”, tha ai, duke shtuar: "Pra, në përgjithësi, kjo do të thotë se kostot do të rriten për konsumatorët, ndërsa ne po flasim në aspektin global".

Jalal theksoi se ndikimet ekonomike janë të dukshme në zinxhirin global të furnizimit.

“Para së gjithash, është e paprecedentë të shohësh një aktor joshtetëror të paraqesë kërcënime kaq të mëdha për anijet tregtare, duke përfshirë edhe ato që nuk janë domosdoshmërisht të lidhura ose të destinuara për Izraelin”, tha ai, duke shtuar: “Kemi parë një anije norvegjeze me një ngarkesë që ishte nisur diku. Pra, kjo padyshim nxjerr në pah nivelin e pasigurisë dhe mungesës së sigurisë për trafikun tregtar në Detin e Kuq, si dhe ngarkesat në bord”.

Ai tha se kjo ka rezultuar në rritje të kostos së sigurimeve dhe më shumë sigurime premium, duke rritur kostot e transportit, ndërsa disa kompani po përmbahen nga vënia në dispozicion e sigurimeve duke pasur parasysh rritjen e nivelit të rrezikut, duke çuar në një reduktim të operatorëve.

"Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, të paktën shtatë kompani të mëdha të transportit detar pezulluan operacionet e tyre në prapavijën e këtyre aktiviteteve", tha Jalal.

- Lufta e Gazës

Në lidhje me luftën e vazhdueshme të Izraelit në Gaza, Hiltermann tha se situata në Detin e Kuq është e lidhur me krizën.

"Unë mendoj se lufta në Gaza do të ketë ndikim në situatën në Detin e Kuq, sepse Huthi-t e kanë bërë të qartë se sapo Izraeli të ndalojë ofensivën e tij në Gaza, atëherë ata gjithashtu do të ndalojnë sulmet ndaj anijeve tregtare", tha ai.

Ai tha se shanset e përhapjes rajonale "kanë qenë të dukshme që nga 7 tetori dhe ato ekzistojnë ende sot, ndoshta duke u bërë më serioze".

Sulmet e Huthi-ve ndaj anijeve në Gjirin Persik janë vetëm një shembull i përhapjes rajonale, tha eksperti.

Ai paralajmëroi se rreziku i një përshkallëzimi në Detin e Kuq është shumë i pranishëm.

"Kjo mund të çojë deri në një luftë me armë zjarri midis vendeve të mbledhura dhe forcave të tyre ushtarake nga njëra anë dhe Huthi-ve nga ana tjetër", tha Hiltermann.

Lidhur me rrezikun e përshkallëzimit, Jalal tha se ka "perspektiva të ndryshme" për situatën.

Njëra është situata në Gaza dhe mizoritë humanitare, tha ai.

E dyta është se Huthi-t "kanë dalë si një fuqi detare pavarësisht kapaciteteve dhe aftësive të tyre të kufizuara, në një mënyrë për të forcuar pozicionin e tyre përpara një marrëveshjeje paqeje", tha ai.

“E treta është, padyshim, përpjekja për të folur për ndjenjat si në botën arabe ashtu edhe në atë islame, e cila në fakt ka marrë jehonë dhe është pranuar pozitivisht, pavarësisht nëse ata e dinë se kush është kryengritësi apo grupi rebel”, tha Jalal, duke shtuar:

“Ajo që mund të presim është vazhdimi i bisedimeve, por nëse nuk bëhen ose plotësohen kërkesat, atëherë mund të shohim një lloj fokusi më të bashkërenduar që shënjestron anijet që mbështesin regjimin okupues izraelit në çfarëdo mënyre”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.