BALLKANI

Maqedoni, referendumi do të financohet nga rezerva e tanishme buxhetore

“Këto para i janë lënë në disponim Kuvendit, më saktësisht deputetëve dhe grupeve parlamentare si dhe koalicioneve të mundshme të cilat do të mund të formoheshin në mënyrë që të mund të blejnë hapësirë mediatike në të gjitha mediat"

Bekim Laci  | 23.08.2018 - Përdıtësım : 21.02.2019
Maqedoni, referendumi do të financohet nga rezerva e tanishme buxhetore

Shkup

SHKUP (AA) - Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e 84-të të saj, ka bërë ndryshim të konstatimit të saj nga mbledhja e 83-të, me të cilin ministritë dhe organet e administratës shtetërore duhej të informojnë Ministrinë e Financave nëse kanë në dispozicion mjete financiare të cilat mund të alokohen në fushatën e interesit publik, më saktësisht për referendumin, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, në një konferencë për mediat tha se pas analizave të bëra, Ministria e Financave ka konstatuar se kjo procedurë do të shkelte afatin kohor të paraparë për mbajtje të fushatës, për çka i propozoi qeverisë një tjetër zgjidhje, të cilën kjo e fundit e pranoi dhe ngarkoi ministrinë në fjalë të përgatisë një propozim-vendim për sigurimin e shumës prej 80 milionë denarë, të cilat do të merren nga rezerva e tanishme buxhetore dhe do të dedikohen për mbajtje të fushatës sipas një plani të përgatitur dhe të miratuar të Kuvendit Republikan, si propozues zyrtar i referendumit.

“Këto para i janë lënë në disponim Kuvendit, më saktësisht deputetëve dhe grupeve parlamentare, si dhe koalicioneve të mundshme të cilat do të mund të formoheshin në mënyrë që të mund të blejnë hapësirë mediatike në të gjitha mediat që kanë dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) çmimoren për fushatën e referendumit”, tha Boshnakovski, sipas të cilit paratë do të lëshohen nga alineja e buxhetit “funksione të shtetit”. Nëse në fund të fushatës mbetet një tepricë e parave, të njëjtat i kthehen buxhetit, sqaroi Boshnjakovski.

Qeveria, tha më tej ai, solli vendim edhe të zbatojë proces të komunikimit publik për referendumin, me çka do të paraqesë dobitë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë nga hyrja e Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO dhe për marrëveshjen me Greqinë, me dhe nëpërmjet mediave, kumtesa për opinionin, informim, deklarata, konferenca për media, intervista dhe pjesëmarrje në debate televizive dhe radio, si dhe përmes mediave sociale, Facebook, Instagram, Twitter, Flickr dhe Youtube, për çka do të shpenzojë 400.000 denarë nga buxheti i rregullt i Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë.

Zëdhënësi tjetër qeveritar, Muhamet Hoxha, tha se në mbledhjen e saj të fundit, Qeveria mes tjerash shqyrtoi dhe miratoi Raportin për bisedimet e realizuara me tekstin e harmonizuar të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, për njohje reciproke të patentë shoferit dhe caktoi ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, të nënshkruajë Marrëveshjen për njohjen reciproke të patentë shoferit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.