Analizë

Zgjedhjet në Slloveni: Pothuajse të gjithë deputetët dhe ministrat në listat zgjedhore

Zgjedhjet parlamentare të 24 prillit do të jenë sërish të rregullta pas vitit 2008, pasi që tre cikle zgjedhjesh parlamentare janë shpallur para kohe për shkak të rënies së qeverive (2011, 2014, 2018)

Almir Terzic   | 23.04.2022
Zgjedhjet në Slloveni: Pothuajse të gjithë deputetët dhe ministrat në listat zgjedhore Foto: Aleš Beno - AA

Sarajevë

Në zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e Sllovenisë, të cilat do të mbahen të dielën, më 24 prill, do të marrin pjesë 20 parti, pesë më pak se katër vjet më parë, ndërsa 1.464 kandidatë garojnë për 88 nga 90 vendet në Asamblenë Kombëtare. Pesë kandidatë të tjerë garojnë për dy vende të rezervuara për anëtarët e pakicave kombëtare italiane dhe hungareze, shkruan Anadolu Agency (AA).

Përkatësisht, pakicat kombëtare italiane dhe hungareze, të cilat kanë lista të veçanta kandidatësh, kanë nga një vend të garantuar në Asamblenë Kombëtare.

Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (DVK), listat e kandidatëve në të tetë njësitë zgjedhore janë dorëzuar nga të gjitha partitë parlamentare - SDS, LMS, SD, E majta, NSi, SAB, DeSUS, SNS dhe lëvizja Lidhe Slloveninë, pjesë e së cilës është dhe partia e koalicionit Konkretno.

Listat janë dorëzuar edhe nga disa parti joparlamentare dhe lista që garojnë për zgjedhje. Në të gjitha njësitë zgjedhore do garojnë partitë dhe listat Pokret Svoboda (Lëvizja për Liri), Vesna - Zelena stranka (Partia e Gjelbër), Nasa zemlja (Vendi Ynë), Piratska stranka Slovenije (Partia Pirate e Sllovenisë), Za narod Slovenije (Për popullin e Sllovenisë), Lista Boris Popoviça (Lista e Boris Popoviçit), Nestranacka narodna lista pokreta Zdravo društvo (Lista popullore jopartiake e lëvizjes Shoqëria e Shëndetshme)- Resni.ca, dhe Domovinska liga i Za narod Slovenije (Lidhja e Atdheut dhe Për Popullin e Sllovenisë) do të dalë me një listë të përbashkët kandidatësh me partitë E ardhmja jonë dhe Shteti i Mirë.

- Në garë për mandate parlamentare 80 deputetë aktualë dhe dhjetë ministra

Përveç faktit që për një vend në Asamblenë Kombëtare garojnë pothuajse 17 kandidatë (mesatarisht 16,63) ka edhe shumë gjëra të tjera interesante lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Slloveni.

Kështu, rreth 80 deputetë nga parlamenti i deritanishëm, kryeministri dhe 10 ministra aktualë të Qeverisë së Sllovenisë, 13 kryetarë komunash janë në garë për një mandat të ri dhe interesant është se kandidati më i ri është 18-vjeç dhe më i moshuari 82-vjeç.

Me rastin e paraqitjes së listave të kandidatëve, partitë duhet të kenë parasysh kuotën gjinore prej 35 për qind dhe sipas të dhënave të deritanishme, në mesin e të gjithë kandidatëve për 88 deputetë janë 649 gra, që është pak më shumë se 44 për qind.

Në listat e ardhshme për deputetë nuk do të jenë Janez Moshkriç, Jure Ferjan, Karmen Kozmus Ferjan, Marko Pogaçnik dhe Nada Brinovshek nga SDS. Franc Jursha dhe Ivan Hrshek nga grupi parlamentar DeSUS dhe Mihael Prevec nga NSi. Ndër kandidatët për deputetë nuk janë kryetari i Kuvendit Kombëtar Igor Zorçiç dhe deputeti Zheljko Cigler, i cili në fillim të vitit iu bashkua SD-së nga grupi parlamentar i majtë.

Në të njëjtën kohë, ndër ministrat e qeverisë aktuale, 10 prej tyre dhe kryeministri Janez Jansha janë kandidatë për deputetë.

Në garën zgjedhore kanë hyrë edhe 13 kryetarë bashkie, përfshirë kryetarin e bashkisë së Tolminit Urosh Brezhan, kryetarin e Trzhiç, Borut Sajovic, kryetarin e Logatecit Berto Menard, kryebashkiaku i Moravçës, Milan Balazhic, kryebashkiaku i Kobilja Darko Horvat, kryebashkiaku i Rogatec-it, Martin Mikoliç dhe kryebashkiaku i Iga-s, Janez Cimperman, kryebashkiaku i Zire-s, Janez Zhakelj (NSi) dhe kryebashkiaku i Zheleznikut, Anton Luzar.

Në garën për pozitën e përfaqësuesit të pakicës kombëtare italiane, do të garojnë deputetja aktuale Felice Zhizha dhe presidenti i kamotshëm i Unionit Italian Maurizio Tremul, i cili ishte sfiduesi i Zhizës katër vjet më parë.

Kandidaturën për zgjedhjen e pjesëtarëve të pakicës kombëtare hungareze e kanë paraqitur tre kandidatë. Ish-deputeti Ferenc Horvath, Otto Moçnek dhe Mihael Kasash.

Kandidatja më e vjetër është 82-vjeçarja Tatjana Voj, e cila ishte në listën e SAB. Ndërsa kandidati më i ri është 18-vjeçari Jaka Krçovnik, i cili kandidon në Listën Boris Popoviç. Mosha mesatare e kandidatëve në ditën e zgjedhjeve parlamentare do të jetë pak më pak se 49-vjeç.

Zgjedhjet parlamentare të 24 prillit do të jenë sërish të rregullta pas vitit 2008, sepse katër herë u shpallën zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të rënies së qeverive (2011, 2014 dhe 2018).

- Dy qeveri në katër vite

Pas dorëheqjes së kryeministrit, Mira Cerar më 20 mars, për shkak të anulimit të referendumit për përmirësimin e hekurudhës Divaçë – Koper, prishjes së marrëdhënieve në koalicion dhe presionit sindikal, u shpallën zgjedhjet më 3 qershor 2018.

Në vitin 2018, votat e qytetarëve ishin shumë të shpërndara në të gjithë spektrin politik slloven. Madje, nëntë parti fituan vende në Asamblenë Kombëtare. SDS-ja mori më së shumti, një të katërtën e votave dhe në vend të dytë doli partia e re e ish-kryetarit të Kamnikut, Marjan Sharc me 12.61 për qind të votave. Ajo u pasua nga SD me 9.95 për qind, rezultate pak më të dobëta kishin arritur SMC (9.74 për qind) dhe e majta (9.22 për qind). Në Asamblenë Kombëtare hynë edhe NSi (7.14 për qind), SAB me (5.12 për qind), DeSUS (4.91 për qind) dhe ndoshta surpriza më e madhe ishte SNS me 4.20 për qind të votave.

Pasuan disa muaj deri në formimin e qeverisë, pasi fituesi i zgjedhjeve Janez Jansha (SDS) nuk pranoi mandatin për formimin e qeverisë. Kështu, më 13 shtator 2018 u konfirmua qeveria e pakicës e kryesuar nga kryeministri Marjan Sharc. Koalicioni përbëhej nga LMS, SMC, SD, SAB dhe DeSUS dhe së bashku kishin vetëm 43 vota deputetësh.

Në fund të janarit 2020, Andrej Bertoncelj dha dorëheqje si ministër i Financave dhe vetëm pak orë më vonë, kryeministri Sharec njoftoi dorëheqjen dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme.

Sllovenia më pas u bë me qeverinë e saj të 14-të në mes të marsit 2020 nën udhëheqjen e Janez Jansha. Përveç SDS-së, koalicioni qeveritar përbëhej nga SMC, NSi dhe DeSUS. Koalicioni qeveritar, i cili fillimisht duhej të fokusohej kryesisht në pandeminë e COVID-19 dhe pasojat e saj, kishte një shumicë modeste prej 46 deputetësh për shkak të largimit të dy deputetëve të KMSH-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın