Analizë

Pse dhe si duhet reformuar OKB-ja?

Lufta e Ukrainës ka dëshmuar edhe një herë joefektivitetin e sistemit shumëpalësh në përballimin e krizave dhe konflikteve

Valeria Giannotta   | 09.05.2022
Pse dhe si duhet reformuar OKB-ja?

Stamboll

Më 27 prill 2022, 193 anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan një rezolutë që kërkon që pesë anëtarët e përhershëm (P5) të Këshillit të Sigurimit (SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca) të justifikojnë fuqinë e tyre të vetos. Lëvizja përcakton detyrimin për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme brenda dhjetë ditëve nga vetoja e shprehur me qëllim "fillimin e një debati mbi situatën për të cilën është vendosur vetoja".

Duket si një veprim i vendosur, i nxitur nga pushtimi më i fundit rus i Ukrainës. Në të vërtetë, reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një çështje shumë e debatuar, urgjenca e së cilës është e domosdoshme. Kjo u diskutua në thellësi edhe në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Romë më 26 prill nga Drejtoria e Komunikimit e Republikës së Turqisë, fushëveprimi i së cilës, përveçse është relevante në kohë, zbulon një koherencë të përgjithshme synimesh në pothuajse të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Në fund të fundit, motoja "Bota është më e madhe se pesë", siç e thekson shpesh presidenti turk Erdoğan, është një e vërtetë e madhe. Megjithatë, shumë qëndrime të kundërta dhe interesa të ndryshme ende mbisundojnë konsensusin e gjerë ndërkombëtar në lidhje me nevojën për të rishikuar sistemin e OKB-së.

- Lufta e Ukrainës dhe mosefektshmëria e OKB-së

Lufta e Ukrainës ka dëshmuar edhe një herë joefektivitetin e sistemit shumëpalësh në përballimin e krizave dhe konflikteve. Të gjithë jemi dëshmitarë të një bllokimi total fatkeq të Këshilli të Sigurimit të OKB-së, pasi i njëjti u konceptua për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në ditët e sotme, çështja kryesore është përbërja e pesë anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje dhe dhjetë anëtarëve jo të përhershëm që zgjidhen në bazë rajonale dhe ndërrohen çdo dy vjet. Një kornizë e tillë është anakronike, pasi i ngjan shpërndarjes së fuqisë së sistemit ndërkombëtar që lindi pas Luftës së Dytë Botërore. Përpjekja e parë për reformë u bë në vitin 1963 kur numri i anëtarëve jo të përhershëm u rrit nga gjashtë në dhjetë dhe numri i vendeve të përfaqësuara në Asamblenë e Përgjithshme u zgjerua nga 51 në 198.

Së bashku me transformimin e sistemit ndërkombëtar dhe rendit të ri botëror, nga Lufta e Ftohtë në unipolaritetin e udhëhequr nga SHBA dhe multipolaritetin e ri që po krijohet, lajtmotivi kryesor ka qenë nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së është në gjendje të kontribuojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Fatkeqësisht, duhet të pranojmë se ajo që u projektua si garantuesi kryesor i stabilitetit ndërkombëtar ka rezultuar se ka disa mosfunksionime pasi ka ngrirë çdo zgjidhje efektive shumëpalëshe. Fryma e reformës është shpalosur mbi pesë shtylla. Konkretisht, kategoria e anëtarësimit, fuqia e vetos, zgjerimi i anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfshirja rajonale dhe marrëdhëniet me Asamblenë e Përgjithshme. Megjithatë, interesa të ndryshme dhe nganjëherë divergjente kristalizohen brenda tre grupeve kryesore të shteteve. I ashtuquajturi "Grupi i 4" (Brazili, Gjermania, Japonia dhe India) argumentojnë se ata gjithashtu duhet të përfshihen në KS të OKB-së pasi janë me ndikim politik dhe ekonomik.

Nga ana tjetër, Shtetet e Unionit Afrikan kërkojnë përfshirjen e të paktën dy shteteve afrikane dhe zgjerimin e anëtarësimit, ndërkohë që më shumë se 40 vende janë duke përbërë grupin "Bashkimi për Konsensus" që mbështesin një kategori të re anëtarësh për një kohëzgjatje të zgjatur me bazë rajonale. Përfaqësimi rajonal është vendimtar, pasi në ditët e sotme, "5-shja e përhershme" (P5) nuk përfshin asnjë shtet nga Afrika, Amerika Latine ose Lindja e Mesme. Për më tepër, përbërja aktuale e P5 pasqyron një lloj polarizimi midis "Perëndimit" dhe "Lindjes". Fatkeqësisht, është e qartë se edhe brenda këtyre fraksioneve ka rryma kundërshtare, të cilat në fund synojnë mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare.

- Shumë qëndrime dhe kompromis shumë i brishtë

Është e qartë se sistemi i OKB-së është prekur nga shumë qëndrime dhe kompromise të brishta. Tabloja ndërlikohet duke marrë parasysh modelin e votimit që nevojitet për miratimin e çdo ndryshimi. Kërkon të paktën dy të tretat e shteteve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme, që do të thotë 128 anëtarë nga 192. Ka hapësirë për të besuar se zhvillimet e ardhshme do të jenë goxha të pafavorshme pa ndonjë reformë efektive në një klimë kaq të bllokuar.

Së bashku me luftën në Ukrainë, në tryezë janë edhe çështja e madhe e konfrontimit bërthamor dhe konfliktet e teknologjisë së re. Përveç kësaj, shumë dosje janë të mbushura me probleme që lidhen me luftërat konvencionale ose konfliktet e ngrira. Ngjarjet e fundit në Afganistan kanë shënuar dështimin e Perëndimit dhe multilateralizmit, i cili akoma duhet të përballet me emergjencat humanitare dhe marrëdhëniet me regjimin taleban.

Për më tepër, krizat dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura në Haiti, Jemen, Etiopi dhe Siri, vetëm për të dhënë disa shembuj, janë të gjitha shenja se paqja është larg. Pa përmendur situatën në pritje në Qipro, që është ndoshta konflikti i ngrirë më i gjatë në botë, me Misionin Paqeruajtës i OKB-së, shpërbërja e të cilit kërkon veprim më realist të OKB-së; ose Libinë, ku OKB-ja ka dëshmuar të jetë e suksesshme në ndërmjetësim, por ku rruga përpara është ende e vështirë. Përveç kësaj, shumë çështje të tjera ndërkombëtare si pandemia, mjedisi dhe varfëria kërkojnë një qëndrim të fortë dhe koherent ndërkombëtar.

Për të gjitha këto arsye dhe duke pasur parasysh të drejtën e vetos së P5, pavarësisht rekomandimit më të fundit, ndoshta do të jetë sfiduese për të arritur një reformë rrënjësore të sistemit të sigurisë së OKB-së. Edhe pse rrugët në të ardhmen nuk duken aq pozitive, është e pamohueshme që sistemi i OKB-së ka qenë i vetmi mjet që ka të drejtë të zbusë konfliktet deri më tani. Prandaj, vetëm duke rritur ndërgjegjësimin se lojtarët kryesorë janë më shumë se pesë dhe se paqja dhe stabiliteti janë interesat supreme ndërkombëtare, mund të bëhen ndryshime efektive në dizajnin e sigurisë të vitit 1945.

*Autorja është eksperte akademike në Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ajo është drejtoreshë shkencore e Observatorit të CeSPI në Turqi.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın