OPINION - Vizioni i Zgjerimit të BE-së 2030
Nëse BE-ja dëshiron të bëhet aktor global, duhet të marrë parasysh potencialin ekonomik, ushtarak dhe gjeopolitik të Türkiye-s. Vetëm anëtarësimi i saj do t'i mundësojë BE-së të shmang shndërrimin në një "gjigant ekonomik dhe xhuxh politik"
Istanbul
Prof. Dr. Irfan Kaya Ulger
- Autori është profesor në Universitetin e Kocaelit, Fakulteti i Shkencave Politike
Vizita e Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi në Türkiye, më 6-7 shtator, ktheu në qendër të vëmendjes marrëdhëniet Türkiye-BE, shkruan Anadolu.
Edhe pse negociatat e anëtarësimit të plotë midis Türkiye-s dhe BE-së, të cilat filluan më 3 tetor 2005, duket se po vazhdojnë ligjërisht, ato "de facto" janë bllokuar. Kur gazetat rendisin vendet që negociojnë me BE-në, ato përfshijnë edhe Türkiye-n. Megjithatë, negociatat e anëtarësimit të plotë midis Türkiye-s dhe BE-së kanë ngecur dhe nuk është e qartë se kur do të rifillojnë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel javën e kaluar tha se BE-ja duhet të përgatitet për anëtarët e rinj nga viti 2030. Kur flet për zgjerimin, Michel ka përmendur Ukrainën dhe Moldavinë si dhe Ballkanin Perëndimor, por jo Ankaranë. Në fakt, marrëdhëniet BE-Türkiye kanë përparuar prej disa kohësh jashtë statusit të negociatave. Statusi i Türkiye-s si një vend kandidat dhe negociues në BE është injoruar. Türkiye reagon ndaj këtij qëndrimi duke kritikuar perspektivën e njëanshme të BE-së.
Deklarata e fundit për këtë çështje është bërë nga ministri i Jashtëm, Hakan Fidan. Fidan e ka përshkruar përjashtimin e Türkiye-s si mungesë vizioni në një kohë kur shqetësimet strategjike janë në plan të parë të zgjerimit të BE-së. Sipas Fidan, është imperativ rifillimi i negociatave të anëtarësimit me Türkiye-n dhe zhvillimi i marrëdhënieve me perspektivën e anëtarësimit të plotë. Gjatë vizitës së tij në Ankara, Varhelyi në mënyrë implicite dhe eksplicite deklaroi se Türkiye po largohej nga BE-ja dhe kërkoi reforma urgjente.
Çështjet aktuale ndërmjet Türkiye-s dhe BE-së
Çështjet aktuale të pazgjidhura midis Türkiye-s dhe BE-së janë udhëtimi pa viza, përditësimi i Unionit Doganor, ndihma humanitare për refugjatët dhe mosmarrëveshja mbi juridiksionin detar. Le t'i analizojmë shkurtimisht këto çështje. Heqja e vizave është marrëveshje që lejon qytetarët turq të udhëtojnë brenda zonës Shengen për 90 ditë. BE-ja ka vendosur 72 kritere që Türkiye duhet të përmbushë në mënyrë që të ketë udhëtim pa viza. Türkiye ka përmbushur 66 nga këto detyrime ndërsa plotësimi i atyre që kanë mbetur është vonuar për shkak të tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016. Progresi në këtë fushë është vështirësuar për shkak të kërkesës për të harmonizuar përkufizimin e terrorizmit në ligjin e antiterrorizmit me standardet evropiane.
Ndër angazhimet e tjera janë bashkëpunimi me Europolin, zbatimi i marrëveshjes së ripranimit, ndihmën e ndërsjellë juridike dhe përafrimin me standardet e BE-së për korrupsionin. Pala e BE-së konsideron se hyrja në fuqi e heqjes së vizave do të vonohet. Për këtë arsye, ajo preferon termin "lehtësim vizash" në vend të "heqje vizash", që nënkupton përjashtim nga vizat për studentët dhe biznesmenët.
Gjatë vizitës së Varhelyi, Türkiye dhe BE-ja arritën një marrëveshje për përditësimin e Unionit Doganor. U vendos të ngrihet një grup pune për zgjerimin e fushëveprimit të Unionit Doganor, përfshirë mallrat industriale, produktet bujqësore dhe investimet. BE-ja nënshkroi një marrëveshje ku ofronte 781 milionë euro për shërbimet sociale për azilkërkuesit sirianë në Türkiye si dhe lëshoi pjesën e ndihmës së premtuar në konferencën e donatorëve për tërmetin.
Në takimin e tij me Varhelyi, Fidan i bëri thirrje BE-së të braktisë vendimet e saj të mëparshme për mosmarrëveshjet e Mesdheut Lindor dhe Egjeut. Në 2019 dhe 2020, BE-ja kishte mbështetur tezat greke dhe greke qipriote në mosmarrëveshjen e juridiksionit detar midis Türkiye-s dhe Greqisë dhe administratës greke qipriote të Qipros Jugore. Fakti se ku fillon dhe përfundon juridiksioni detar i një shteti – shelfi kontinental, deti territorial dhe zona ekskluzive ekonomike – është çështje e së drejtës ndërkombëtare. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për këtë çështje nuk është në kompetencat e BE-së, e cila është një organizatë mbikombëtare.
Vizioni i Zgjerimit të BE-së 2030
Lufta që filloi më 24 shkurt 2022, me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, hapi derën e një epoke të re jo vetëm për NATO-n, por edhe për BE-në. Për herë të parë në historinë e saj, BE-ja mbështeti fuqimisht shpenzimet ushtarake për luftë. Midis shteteve anëtare u shfaq një konsensus i përgjithshëm për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Suedia dhe Finlanda, dy vende anëtare të BE-së, aplikuan për t'u anëtarësuar në NATO për shkak të kërcënimit rus. Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill 2023 ndërsa pranimi i Suedisë ka të ngjarë të shtyhet deri në fund të vitit për shkak të vonesave në përmbushjen e angazhimeve të saj.
Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një valë të re zgjerimi për BE-në. Në mesin e vitit 2012, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia aplikuan për anëtarësim në BE. BE-ja nuk refuzoi asnjë nga aplikantët. Ukraina dhe Moldavia u shpallën kandidate ndërsa as Gjeorgjia, gjeografikisht një vend transkaukazian, nuk u përjashtua. Më 8 shtator, Përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borrell vizitoi Tbilisin dhe deklaroi se "dyert e BE-së janë të hapura për Gjeorgjinë". Nga ana tjetër, liderët e BE-së shpesh i janë referuar vendimit të marrë në Samitin e Selanikut të vitit 2003.
BE-ja njoftoi se vendet e Ballkanit Perëndimor që përmbushin detyrimet e tyre do të pranohen si anëtarë të plotë. Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë filluar negociatat e anëtarësimit të plotë me BE-në që nga viti 2012, respektivisht 2014. Negociatat mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe BE-së nisën në korrik të vitit 2022. Mbetet e paqartë se kur do të marrin statusin e kandidatit Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina dhe kur do të fillojnë negociatat. Megjithatë, presidenti i Këshillit të BE-së, Michel deklaroi se BE-ja duhet të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj nga viti 2030.
Vendi i Türkiye-s në zgjerimin e BE-së
Mbetet e paqartë se kur do të rifillojnë negociatat e anëtarësimit të plotë midis Türkiye-s dhe BE-së, të cilat praktikisht janë bllokuar. Pas zgjedhjeve të 28 majit në Türkiye, Këshilli i Evropës kërkoi nga Borrell të përgatisë një "raport strategjik dhe largpamës për Türkiye-n". Raporti pritet të publikohet në tetor, por ajo që u riafirmua gjatë vizitës së Varhelyi ishte se: Rifillimi i negociatave të anëtarësimit të plotë me Türkiye-n nuk është prioritet për BE-në.
Sipas BE-së, Türkiye duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në mënyrë që të rifillojë negociatat. Zyrtarët e BE-së kritikojnë masat e marra pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 dhe ankohen se Türkiye nuk po zbaton vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. BE-ja nuk i merr parasysh shqetësimet se "masat e marra kundër terroristëve që u rebeluan kundër shtetit ishin të ligjshme dhe legjitime dhe se gjendja e jashtëzakonshme ishte me të vërtetë e bazuar në baza ligjore".
Të gjitha këto zhvillime tregojnë se perspektiva e njëanshme dhe diskriminuese e BE-së ndaj Türkiye-s vazhdon. Në fakt, qasja diskriminuese e BE-së është përgjegjëse për dështimin e Türkiye-s që të bëjë përparimet e pritura në negociatat e anëtarësimit të plotë. Dokumenti i kornizës negociatore bazohet në rregullin e unanimitet për secilin nga kapitujt. Megjithatë, ky rregull nuk u zbatua për vendet që iu bashkuan BE-së në vitin 2004.
Në rrethanat aktuale, nëse BE-ja dëshiron të bëhet aktor global, duhet të çlirohet nga paragjykimet e saj dhe të mos diskriminojë Türkiye-n. Türkiye është vendi me potencialin më të madh për të kontribuar në vizionin strategjik të BE-së dhe nuk përbëhet vetëm nga Anadolli. Zonat e largëta Osmane përfshin Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe pjesët veriore të Afrikës. Si i tillë, vendi ka ndikim kulturor në këto rajone. Türkiye është gjithashtu pjesë e botës turke dhe anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islam prej 57 anëtarësh.
Prandaj, do të ishte mungesë vizioni për BE-në, e cila planifikon në mënyrë strategjike të zgjerohet nga viti 2030, të mos marrë parasysh Türkiye-n. Gjithashtu, anëtarësimi i Türkiye-s do të forconte sigurinë energjetike dhe bashkëpunimin ushtarak të BE-së dhe do të nxiste rritje dhe zhvillim të ri me një efekt shumëfishues në ekonomi. Rëndësi në këtë pikë kanë shtrirja dhe kufijtë e vizionit strategjik të BE-së.
Për Türkiye-n, anëtarësimi në BE nuk është më i një rëndësie jetike. Por, nuk mund të thuhet e njëjta edhe për BE-në. Nëse BE-ja dëshiron të bëhet aktor global, duhet të marrë parasysh potencialin ekonomik, ushtarak dhe gjeopolitik të Türkiye-s. Vetëm anëtarësimi i saj do t'i mundësojë BE-së që të shmang shndërrimin në një "gjigant ekonomik dhe xhuxh politik". Do të jetë shumë e vështirë për BE-në të ruajë dhe të zhvillojë nivelin aktual të integrimit pa pjesëmarrjen e Türkiye-s.
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.