Analizë

Mediat saudite veprojnë si zëdhënëse e PKK-së

Operacioni antiterrorist i Turqisë në veri të Sirisë ka demaskuar aktorë ndërkombëtarë dhe rajonalë

Erdoğan Çağatay Zontur  | 19.10.2019 - Përdıtësım : 20.10.2019
Mediat saudite veprojnë si zëdhënëse e PKK-së

Stamboll

Operacioni i Turqisë "Burimi i Paqës" në veri të Sirisë duket se ka "trazuar një fole bletash", pasi përveç ndryshimit të ekuilibrave të fuqive në rajon, ai gjithashtu ka demaskuar aktorë ndërkombëtarë dhe rajonalë një nga një, shkruan Anadolu Agency (AA).

Aleatët e Turqisë në NATO, partnerët e saj strategjikë dhe vendet që bashkëpunojnë me organizatat terroriste kundër Turqisë tashmë pritej të miratonin një qëndrim të ashpër. Megjithatë, u shfaq një shembull i humorit të zi që Liga Arabe, përfshirë Egjiptin, Bahrejnin, së bashku me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dënuan operacionin duke bombarduar me transmetime të drejtpërdrejta 24-orëshe përmes mediave vizive dhe të shtypura, me ballinat dhe komentet e tyre.

Deklarata e fundit e Ligës Arabe që e quan operacionin si "okupim" nuk merret seriozisht as nga shtetet anëtare të saj. Siç dihet se Ligës i mungon një mekanizëm zbatimi, disa anëtarë madje nuk e nënshkruan deklaratën apo kanë treguar mospajtime me vendimin përmes ministrive të tyre të jashtme.

Kjo mund të përshkruhet vetëm si një komedi të cilën Liga Arabe, e cila mbeti e heshtur kur vendet arabe u shndërruan në "gërmadha" nga SHBA, Rusia dhe Irani, ka folur vetëm për sovranitetin e Sirisë, i cili u shkel nga ushtritë e katër vendeve - SHBA, Franca, Rusia dhe Irani.

Për më tepër, ndërsa organizata terroriste YPG/PKK kishte filluar të dëbonte popullatën arabe nga veriu i Sirisë, kurse rajoni verior filloi të quhet "Rojava", këtu më nuk shihet asnjë aspekt moral te regjimet arabe dhe mediat që vajtojnë për organizatën terroriste.

Liga kurrë nuk është parë të mblidhet menjëherë kundër Iranit, i cili tani kontrollon katër kryeqytetet arabe: Bagdadin, Damaskun, Beirutin dhe Sanan. Izraeli shkelte sovranitetin e Sirisë gati çdo ditë duke goditur pozicionet që i konsideronte të rëndësishme, por regjimet në fjalë nuk kundërshtuan fare. Mbështetësi më i rëndësishëm i regjimit të Bashar al-Asadit, i cili masakroi fëmijë, gra dhe të moshuar, është presidenti rus Vladimir Putin, i cili u mirëprit në Arabinë Saudite dhe nënshkroi marrëveshje të rëndësishme.

Atyre që ndjekin deklaratat, mediat vizive dhe të shtypura të Arabisë Saudite në lidhje me operacionin "Burimi i Paqes", mund t'u shkojë mendja se Turqia po përgatitet për të luftuar Arabinë Saudite, se ka bombarduar fabrikat e saj të naftës, siç është ndërmarrja shtetërore e naftës Aramco, si dhe ka mbështetur shitjet e armëve për rebelët jemenas të mbështetur nga Irani që luftojnë me sauditët në Jemen. Edhe pas sulmit të fundit ndaj Aramco-s, administrata saudite dhe mediat nuk reaguan në një shkallë të tillë. Por reagimi i tyre ndaj operacionit "Burimi i Paqes" ka lënë në hije atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë regjimi i Asadit.

Kanali Al Arabiya i financuar nga Arabia Saudite dhe gazeta Okaz, të cilat po drejtojnë fushatën e njollosjes kundër Turqisë, si dhe të gjitha mediat e tjera vizuale dhe të shkruara, veprojnë pothuajse si zëdhënëse e organizatës terroriste PKK, ndërsa përpiqen të shtrembërojnë objektivin e operacionit me anë të dezinformatave. Në veçanti, një reportere e Al Arabiya u shfaq në rolin kryesor përmes montimeve, ku në pamundësi për të gjetur ndonjë civil të vdekur ose të plagosur, organizoi një skenë duke shtrirë dy fëmijë në mes të një rruge ku Turqia po zhvillonte operacionin.

Autoritetet saudite shpërndanë postime tronditëse në llogaritë e tyre personale të mediave sociale në lidhje me Turqinë dhe operacionin "Burimi i Paqës", ndërsa në dezinformimin e opnionit u kyçën gjithashtu edhe llogari të rreme.

Gazeta Okaz doli me tezën se "bota është kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan" dhe veproi si një zëdhënës i organizatës terroriste PKK/PYD. Gazeta u përpoq të mashtrojë lexuesit e saj duke krijuar perceptim bazuar në gënjeshtrën se një burg me të burgosur të DEASH-it në Siri u godit dhe militantët u lanë të lirë.

Al Jazeera e Rijadit dhe gazeta Al Vatan, si dhe gazetat si Sarkulevsat, Al Hayat dhe Al Arab, po ashtu raportuan lajme dhe komente të rreme në lidhje me operacionin.

Mediat saudite, të cilat kanë intervistuar anëtarët e organizatës terroriste FETO, grupi që qëndroi pas përpjekjes për grusht shteti të mposhtur në Turqi në vitin 2016 dhe injoruan sulmet e kryera nga organizata terroriste PKK/YPG në qytetet kufitare turke dhe zonat civile, përmendën njëzëri se si familjet e anëtarëve të DEASH-it shpëtuan dhe 130.000 civilë braktisën shtëpitë e tyre. Në fakt, presidenti i SHBA-së Donald Trump mohoi pretendimet e tilla në Twitter, duke thënë se terroristët e YPG/PKK-së mund të kenë liruar disa anëtarë të DEASH-it.

Korrespondenti i gazetës Okaz, Ahmed Awad, doli me një deklaratë të pavlerë duke pohuar se ushtria turke po lufton kundër nipërve dhe mbesave të Salahuddin Ejubit (çliruesit të Kudsit), ndërsa korrespondenti i Al Jazeera, Muhamed Al ash-Sheik, tha se Katari u turqizua duke mbështetur operacionin.

Korrespondenti i gazetës Okaz, Faheem Al-Hamid, është shprehur se politika e vendit të tij për Sirinë nuk ka ndryshuar kurrë dhe se Arabia Saudite vepron brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, nuk është e nevojshme të jesh ndonjë ekspert politik për të thënë që politikat e tanishme të autoriteteve saudite janë diametralisht të kundërta me ato në mars të vitit 2011, kur filloi lufta civile e Sirisë.

Deri para tre vjetësh, ministri i Jashtëm saudit Adel Al Jubeir deklaronte se aeroplanët luftarakë sauditë qëndruan pranë Turqisë për të luftuar kundër DEASH-it në Siri dhe kishte njoftuar se Arabia Saudite mbështet përpjekjet e Turqisë në këtë drejtim. Por, EBA dhe administrata puçiste e Egjiptit tashmë ishin në një aleancë të fshehtë me regjimin e Asadit.

Arabia Saudite, EBA dhe Egjipti realizuan operacione të përgjakshme ushtarake në shumë vende arabe, të cilat ata i quanin si "vëllezër". Dyshja Rijad-Abu Dhabi kreu krime kundër njerëzimit në Jemen. Në të njëjtën mënyrë, ata ofrojnë mbështetje ushtarake dhe logjistike, së bashku me Egjiptin, për gjeneralin puçist libian Khalifa Haftar kundër Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të njohur nga OKB-ja në Libi.

Administrata e Rijadit, duke potencuar sovranitetin e Sirisë dhe se është një vend arab, nuk ka bërë asgjë që nga fillimi i ngjarjeve në mars të vitit 2011, duke injoruar egërsinë dhe masakrat e regjimit të Asadit. Përkundrazi, ajo mbështeti PKK/PYD-në financiarisht dhe me logjistikë në emër të "luftës kundër DEASH-it", duke tradhtuar arabët që jetojnë në ato rajone. Në kulmin e kësaj, ajo urdhëroi shkrime dhe intervista me drejtuesit e PKK-së sikur ata të ishin shtetarë.

Ministri i saudit i Shtetit për Çështjet e Gjirit, Thamer al-Sabhan, vizitoi guvernatorët e Rakkas dhe Deirizorit në Siri në vitin 2017 dhe 2019 dhe zhvilloi bisedime me drejtuesit e organizatës terroriste, duke u premtuar atyre mbështetje.

Miliona arabë sirianë u lanë plotësisht nën mëshirën e terroristëve të PYD-së, ndërsa kjo nuk ishte kërcënim vetëm për Turqinë, por për gjithë Sirinë.

Por, përse Arabia Saudite u angazhua në njollosje dhe doli kundër operacionit të Turqisë, pavarësisht se e di që Siria ishte shndërruar në një "shtëpi pa derë" për forcat ndërkombëtare dhe se identiteti arab i vendit ishte në shënjestër? Është e qartë se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite janë të tensionuara dhe të dy vendet janë në prag të shkëputjes së marrëdhënieve. Autoritetet saudite dhe mediat e vendit shfrytëzojnë çdo mundësi kundër Turqisë, duke rritur dozën e armiqësisë përkundër politikave kontradiktore gjatë grushtit të shtetit në Egjipt në vitin 2013, bllokadës së Katarit në vitin 2017 dhe vrasjes brutale të gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll në vitin 2018.

Fushata e njollosjes dhe dezinformimit kundër operacionit turk mund të interpretohet si përpjekje e administratës saudite për të dobësuar Turqinë në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.