Analizë

Marrëdhëniet turko-amerikane pas Samitit të Madridit

Administrata e presidentit Biden është para një realiteti të ri që ata nuk mund ta shmangin, mohojnë apo injorojnë: ata duhet të merren më me ndershmëri me shtetin turk dhe zyrtarët e tij.

Dr. Adam McConnel  | 11.07.2022 - Përdıtësım : 12.07.2022
Marrëdhëniet turko-amerikane pas Samitit të Madridit

Istanbul

Dr. Adam McConnel

Autori i shkrimit ligjëron historinë turke në Universitetin Sabancı në Istanbul, ku dhe ka magjistruar dhe doktoruar në histori

"Për shkak se shumica e atyre që dikur ishin të mëdhenj janë të vegjël sot; dhe ata që dikur ishin të vegjël, ishin të mëdhenj në kohën time. Kështu, duke e ditur se prosperiteti njerëzor kurrë nuk qëndron gjatë në të njëjtin vend..."[1]

Gjatë disa dekadave të fundit, qëndrimet e rrënjosura thellë evropiane ndaj Türkiye-s, të zhytura në frikën, shovinizmin dhe mospërfilljen shekullore, e sollën gradualisht NATO-n në krizën e përjetuar në dy muajt e fundit në lidhje me pranimin e Finlandës dhe Suedisë. Paaftësia e politikanëve evropianë e vetëkritikës, identifikimit të standardeve të dyfishta dhe më pas ajo e zbatimit të politikave të duhura ndaj grupeve terroriste si PKK (dhe degët e saj), FETO, DHKP-C dhe të tjerat, i çoi ata në mënyrë të parashikueshme dhe të pashmangshme në një moment ku hipokrizia e tyre u doli para hundës.

Në fund u arrit një marrëveshje. Finlanda dhe Suedia kanë shumë punë për të bërë nëse duan që parlamenti turk të ratifikojë anëtarësimin e tyre, ndërsa vetëm Suedia, sipas deklaratave zyrtare turke, ka 73 të arratisur nga drejtësia që Türkiye pret ekstradimin e tyre. Periudha në të cilën këto shoqëri kanë mundur të përkëdhelin grupe të tilla pa u ndëshkuar ka kaluar.

Por pa rishqyrtim serioz dhe themelor, pa vetë-ekzaminim të përbashkët të paragjykimeve dhe interesave thelbësore, qeveritë e NATO-s, veçanërisht ato të Evropës Veriore dhe bregut perëndimor të Atlantikut, do të vazhdojnë të përjetojnë disonancë të rëndë njohëse në lidhje me rolin, ndikimin dhe fuqinë që Türkiye tani posedon jo vetëm në NATO, por në një shtrirje të gjerë rajonesh që përfshijnë Mesdheun Lindor, Ballkanin, Azinë Qendrore dhe Jugperëndimore, Kaukazin, Afrikën e Veriut dhe Bririn e Afrikës.

Memet Gezer quid pro quo?

Nëse zyrtarët amerikanë e kanë kuptuar vërtet këtë realitet, mbetet një pyetje e hapur. Bisedat mes presidentëve Recep Tayyip Erdoğan dhe Joe Biden, sipas të gjitha llogarive, ishin të frytshme dhe pozitive. Kurse menjëherë pas samitit, SHBA-ja ekstradoi Memet Gezer në Türkiye, i përfshirë në sulmin me kamion bombë në maj 2013 në Reyhanlı të Türkiye-s. Koha e ekstradimit të Gezer-it e bëri këtë të duket si një lloj quid pro quo, por koha do të tregojë nëse është kështu. SHBA-ja e di se çfarë duan të shohin të gjithë në Türkiye në lidhje me ekstradimet, kështu që askush në Washington nuk duhet të mashtrojë veten duke besuar se ekstradimi i Gezer-it do të ketë një lloj ndikimi të rëndësishëm ose afatgjatë.

F-16 dhe senatori Menendez

Në bisedat pas samitit të Madridit dominonte tema e shitjes së propozuar të F-16 në Türkiye. Gjatë dy muajve të fundit, ndërsa kriza për pranimin e Finlandës dhe Suedisë fitoi intensitet, Presidenti Biden bëri disa deklarata që tregonin se ai e mbështeste shitjen dhe se ai mund ta miratonte shitjen nga Kongresi. Menjëherë pas samitit, senatori republikan i Karolinës së Jugut Lindsey Graham u dërgua në Ankara dhe deklaroi publikisht mbështetjen e tij për shitjen.[2]

Ata që ndjekin marrëdhëniet turko-amerikane gjatë administratës Trump do të kujtojnë se si Graham tentonte të udhëhiqej nga lëkundjet e erës politike të momentit. Edhe pse Graham është i rëndësishëm si anëtar në Komitetin e Buxhetit të Senatit, ndërsa më parë ishte angazhuar në diplomaci të drejtpërdrejtë me Ankaranë, ai nuk është më në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit.

Për fat të keq, komentet pozitive të administratës së Biden për shitjen e F-16 janë pritur kryesisht me heshtje nga Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.[3] I vetmi kongresmen nga i cili pritet një koment është demokrati i New Jersey-it, Bob Menendez, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Por Menendez është ngujuar në një qëndrim kaq të ashpër antiturk, saqë gjatë seancave dëgjimore në Senat për kandidaturën e Antony Blinken për Sekretar të Shtetit, ai e detyroi Blinken të betohej në thelb se nuk do të bënte asnjë hap pozitiv ndaj qeverisë turke.[4] Vetëm dy javë më parë, Menendez akuzoi Türkiye-n për ndihmën dhe inkurajimin e Rusisë përmes veprimeve të saj në lidhje me pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.[5] Edhe vëzhguesit e rastësishëm tani e kuptojnë një qëndrim të tillë si militantizëm ekstremist.

Atmosfera aktuale e zjarrtë politike e SHBA-së, si rezultat i vendimeve të fundit të Gjykatës së Lartë të SHBA-së dhe dhunës së vazhdueshme me armë, mund të ofrojë një mundësi për marrjen e shpejt dhe në heshtje të miratimit të Kongresit për shitjen e F-16. Për shembull, reagimet në Twitter të Menendez janë mbizotëruar nga polemikat e brendshme të SHBA-së për dy javët e fundit dhe postimi i tij i vetëm në Twitter në lidhje me kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për pranim në NATO ishte i kujdesshëm dhe neutral.[6] Kjo mund të jetë një paralajmërim pozitiv për shitjen e F-16, por Menendez ende nuk e ka shprehur publikisht mbështetjen, ndërsa Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë është rruga përmes së cilës propozimi për shitje duhet të kalojë në Senat për miratim. Deri në maj, Menendez ende ruante kundërshtimin agresiv lidhur me shitjen.

Harku i historisë

Pavarësisht rezultatit lidhur me F-16, rolet e shumta dhe ndikimi i fuqishëm që ka arritur Türkiye që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë duket se më në fund para administratës së Biden është paraqitur një realitet të cilin ata nuk mund ta shmangin, mohojnë ose injorojnë: ata duhet të merren më me ndershmëri ndaj shtetit turk dhe zyrtarëve të tij. Madje edhe zëri i hidhur "sotto" që New York Times ka adoptuar në mbulimin e saj turk që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë, tradhton natyrën konkrete të situatës.

Ajo që ata dhe ne po dëshmojmë është ndryshimi historik. I vetmi model që historianët kanë arritur të përcaktojnë me besim është se fuqitë ngrihen dhe bien, siç e tha Herodoti shumë qartë 2500 vjet më parë. Sistemi botëror amerikan, pjesërisht për shkak të të metave të tij (dhe të Amerikës) dhe pjesërisht për shkak të rritjes së fuqive të tjera, po copëzohet, ndërsa aktorë të tjerë globalë po marrin role, fuqi dhe ndikim të ri. Nëse zyrtarët amerikanë mund t'i qasen këtij realiteti në zhvillim në mënyrë racionale, objektive dhe të qetë, me analiza të informuara dhe të mbeten të fokusuar në interesat e përbashkëta demokratike të të gjithë anëtarëve të NATO-s, kjo do të jetë një dramë interesante që do të shpaloset në vitet e ardhshme.

[1] Herodoti, Historitë (Herodotus, The Histories)

[2] Lindsey Graham në Twitter: "Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që të mbështes vendimin e administratës së Biden për shitjen e F-16 Forcave Ajrore Turke (I will do all in my power to support the Biden Administration’s decision to sell F-16s to the Turkish Air Force)". - Twitter

[3] https://www.airforcemag.com/f-16-modernization-sale-to-turkey-now-awaits-congress-after-biden-dod-voice-support/

[4] https://www.youtube.com/watch?v=uRzjGxmI6Oo

[5] Kryetar i Komitetit të Senatit Menendez, deklarata hapëse në seancën dëgjimore të Komitetit mbi propozimin e pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO | Komisioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë. (Chairman Menendez Opening Statement at Committee Hearing on Proposed Accession of Sweden, Finland to NATO | United States Senate Committee on Foreign Relations)

[6] https://twitter.com/SFRCdems/status/1541897789281550337

*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.