Analizë

Izraeli zbaton politikë të re në Afrikë përmes Emirateve të Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe shfrytëzojnë ndikimin ekonomik si ndërmjetës midis vendeve afrikane dhe Izraelit

Osman Kagan Yucel   | 21.02.2020
Izraeli zbaton politikë të re në Afrikë përmes Emirateve të Bashkuara Arabe

Stamboll

Osman Kagan Yucel - Autori i shkrimit është studiues në Qendrën Kërkimore të Afrikës (AFAM) dhe zëvendës koordinator në Qendrën e Koordinimit dhe Edukimit të Afrikës (AKEM) 

Gjatë vizitës së tij në Uganda më 3 shkurt, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua me kreun e Këshillit Sovran Abdel Fattah al-Burhan. Ky zhvillim tregon shfaqjen e një qasje të re për sa i përket politikave të Izraelit në kontinentin afrikan. Në kuadrin e kësaj qasjeje, Izraeli tani flet përmes një ose më shumë shteteve ndërmjetëse të vendeve me shumicë muslimane me të cilat i ka marrëdhëniet e pezulluara ose nuk ekzistojnë fare. Kjo shihet si simbol i një epoke të re për sa i përket marrëdhënieve izraelito-afrikane. Dëshira e Netanyahut për lidhje me Sudanin është njëkohësisht një detyrim që buron nga interesat e Izraelit në këtë vend dhe si rezultat i ndikimit politik dhe ekonomik në të gjithë kontinentin që shfaqin gjurmët e kësaj qasjeje të re diplomatike.

Këtu mund të flasim për tre dinamika themelore në politikën e re të Izraelit në Afrikë, e cila tani është bërë më konkrete pas takimit Netanyahu-Burhan. Më e rëndësishmja nga këto është përpjekja e Izraelit për të rritur ndikimin e tij në rajon në një mënyrë që gjithashtu justifikon politikat e tij. Ky synim është mishëruar brenda parullës së shprehur më parë nga Netanyahu: "Izraeli i kthehet Afrikës dhe Afrika i kthehet Izraelit".

Për sa i përket Afrikës, kjo mund të shihet në dy aspekte: njëra është njohja e statusit të Kudsit në favor të Izraelit dhe e dyta është kërkimi i mbështetjes nga Afrika, veçanërisht vendeve muslimane, për të ashtuquajturin projektin e paqes së Washingtonit. Dinamika e dytë e rëndësishme është ndërtimi i marrëdhënieve politike të Izraelit me vendet specifike me shumicë muslimane. Ky është një aspekt i jashtëzakonshëm i qasjes së re diplomatike. Në lidhje me këtë, dinamika e tretë është hapja e Izraelit në kontinentin Afrikan përmes ndërmjetësimit të një shteti ose më shumë shteteve. Fakti që takimi Netanyahu-Burhan u mbajt me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) tregon aspektin më të rëndësishëm të konceptit diplomatik të treanshëm të Izraelit. Me fjalë të tjera, vendet e Gjirit po krijojnë hapësirën politike për Izraelin në Afrikë, veçanërisht përmes ndikimit të tyre ekonomik.

- Pesë çështjet vendimtarë të marrëdhënieve Izrael-Afrikë

Marrëdhëniet Izrael-Afrikë mund të shihen në pesë periudha historike për sa i përket procesit historik dhe pikave të kthesës. Në periudhat ndërmjet 1956-1973, 1973-1982, 1982-1992, 1992-2006 dhe 2006 e deri më sot. Përpjekjet diplomatike të Izraelit në kontinentin Afrikan janë krijuar përgjatë vijave të zhvillimeve të brendshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, apo të prishjes së lidhjeve rajonale. Politika e jashtme e Izraelit në këto periudha i dha përparësi programeve të shkëmbimit siguri/arsim, si dhe bashkëpunimit në çështjet teknike, nismat ekonomike, dhe ndihmat si dhe tregtisë së ndërsjellë.

Që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948, që pak a shumë përkon me pavarësinë e kombeve afrikane, nuk pati marrëdhënie diplomatike. Pas pavarësisë së shumë kombeve afrikane që filluan në vitet ’50, një nga vendet e para që Izraeli vendosi lidhje diplomatike ishte Gana. Marrëdhëniet politike me Ganën filluan në mesin e viteve 50, duke u bërë zyrtare me hapjen e një misioni diplomatik në Gana përmes socialistëve ndërkombëtarë. Pas kësaj, konvergjencat me Bregun e Fildishtë, Nigerinë dhe Sierra Leone nisën me fillimin e viteve 1960. Mediat në këtë periudhë i përshkruan marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis këtyre vendeve dhe Izraelit si "aleanca më e çuditshme jozyrtare në botë".

Së bashku me hapjen e misioneve të Izraelit në 32 vende afrikane në vitet 1960, prania e 1.800 ekspertëve izraelitë që punonin në mënyrë aktive në sektorë të ndryshëm në të gjithë kontinentin, janë gjithashtu midis shembujve konkret të marrëdhënieve të hershme afrikano-izraelite. Megjithë përpjekjet e Izraelit për të qëndruar në Afrikë, tensionet midis Egjiptit që rezultuan me Luftën gjashtë-ditore shkaktuan një epokë pozitive, sado të kufizuar, që çoi drejt përfundimit.

Një nga faktorët kryesorë që çoi në kufizimin e lidhjeve ishte se lëvizjet e pavarësisë në të gjithë kontinentin u identifikuan me kauzën palestineze. Megjithëse ndikimi i Izraelit në Afrikë u dobësua pas luftës së Yom Kippur të vitit 1973, ai nuk mori fund. Ndërsa pikat kryesore të kontinentit zhvendoseshin, veçanërisht në vitin 1974, marrëdhëniet me regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut u forcuan dhe filloi një epokë e re e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe ushtarak me Kenian, Republikën Demokratike të Kongos, Etiopinë dhe Angolën. Këtu gjithashtu pati një përpjekje për të rindërtuar marrëdhëniet me Nigerinë, Ganën dhe Bregun e Fildishtë për shkak të burimeve të pasura natyrore.

Një tregues domethënës në këtë periudhë ishte se më shumë se 30 për qind e armëve të prodhuara në Izrael eksportoheshin në Afrikë. Një nga zhvillimet më të rëndësishme në këtë periudhë në marrëdhëniet Izrael-Afrikë ishte marrëveshja e paqes midis Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1977. Kjo marrëveshje lehtësoi hapat e Izraelit në Afrikë në vitet 1980 dhe 1990. Sidoqoftë, Izraeli ishte shumë i përkushtuar për të hapur zona të reja ndikimi në kontinent pas shpërthimit të Intifadës së Parë dhe konsolidimit të çështjes palestineze, duke fituar një simpati të gjerë midis afrikanëve, megjithëse Izraeli ende ruajti ndikimin e tij politik dhe ekonomik ekzistues.

Tre dinamika themelore kanë ndikuar në marrëdhëniet Izrael-Afrikë nga vitet 1990 deri në mesin e viteve 2000. Së pari, Marrëveshja e Oslos e vitit 1993, e cila njohu Shtetin autonom Palestinez, kontribuoi sado pak në hapjen e një epoke të re në marrëdhëniet Izrael-Afrikë, duke hequr pengesën politike të bllokimit të politikave izraelite për shtrirje në Afrikë. Së dyti, rënia e regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut dhe ngritja në pushtet e Nelson Mandelës detyruan ambasadorin izraelit atje të largohej nga vendi. E treta dhe e fundit, rënia e BRSS (Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike) bëri që SHBA-ja të mbetet aktori i vetëm me ndikim në kontinent për një periudhë, duke i hapur rrugën normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin në hapësirën afrikane.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve pozitive dhe negative për Izraelin, vendosja e lidhjeve bilaterale drejt fundit të viteve 1990 me Sierra Leonen, Ganën, Eritrean, Nigerinë, Etiopinë, Republikën Demokratike të Kongos, Kenian, Kamerunin, Angolën, Liberinë, Afrikën e Jugut (në periudhën e mëvonshme) dhe Sudanin e Jugut (pas shkëputjes nga Sudani) janë ndër pikat e rëndësishme kthyese në marrëdhëniet Izrael-Afrikë brenda sferës së interesave politike, ekonomike dhe strategjike.

Vitet 2000 sollën rritjen e politikës së krahut të djathtë në Izrael, së bashku me vendimet për ndërtimin e vendbanimeve të reja në Palestinë, duke forcuar okupimin. Kjo përbënte një pengesë politike për Izraelin në ndërtimin e një politike të jashtme të qëndrueshme dhe afatgjate në Afrikë. Këto pengesa u shfaqën në politikën e Izraelit në Afrikën pasi Tel Avivi mbeti i kufizuar për të vepruar në rajon përmes ndërmjetësve ose palëve të treta. Që nga viti 1956, Izraeli kishte ushtruar marrëdhëniet e tij me kontinentin përmes socialistëve ndërkombëtarë britanik dhe të SHBA-së. Nuk ka dyshim se tani është mbështetur te Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Arabia Saudite si ndërmjetës në kontekstin e strategjisë së saj të re të negociatave në rajon.

- Emiratet e Bashkuara Arabe, krahu diplomatik i Izraelit në rajon

Ndër prioritetet e politikës së jashtme të Izraelit, të cilat janë po aq të rëndësishme sa synimet e tij politike, ekonomike dhe ushtarake në kontinent, është vendosja ose rivendosja e lidhjeve me vendet me të cilat marrëdhëniet ishin pezulluar ose nuk ekzistonin fare. Një nga arsyet kryesore për këtë është se vendet e vetme afrikane që votuan në favor të Izraelit në votimin e OKB-së në propozimin e SHBA-së për Kudsin të vitit 2017 ishin Togo dhe Sudani i Jugut. Izraeli filloi t'i kushtojë rëndësinë strategjike vendeve afrikane shumë më seriozisht pas kësaj, pasi 54 nga 194 vendet e botës ndodhen në këtë kontinent dhe kështu përfaqësojnë një bllok të rëndësishëm votimi në organizatat ndërkombëtare.

Për këtë arsye, rivendosja e marrëdhënieve me vendet e Afrikës së Veriut me shumicë arabe dhe muslimane dhe vendet me shumicë muslimane Sahel, përmes ndërmjetësve tani u bë një nga prioritetet e Izraelit. EBA është shfaqur si krahu diplomatik i Izraelit në rrjetin e tij të paqartë të marrëdhënieve në Afrikë. Libia dhe Sudani janë ndër shembujt kryesorë të EBA-së duke përdorur ndikimin e saj ekonomik si një urë lidhëse midis vendeve afrikane dhe Izraelit. Përpjekjet e Izraelit për të rritur ndikimin e tij në Libi përmes mbështetjes së fortë të EBA-së për puçistin Khalifa Haftar dhe faktin që EBA është prapa takimit Netanyahu-Burhan në Uganda, si arsye kyçe për normalizimin e marrëdhënieve me Sudanin, mund të llogaritet në shembuj konkret.

E nesërmja do të mbahet në mend për rolin dhe suksesin e EBA-së duke vepruar si agjent për veprimet e dyshimta të Izraelit në Afrikë, duke shërbyer si një urë në lëvizjet politike, ekonomike dhe strategjike dhe për të hapur një dhomë politike për Tel Avivin, për të përmirësuar ose avancuar lidhjet me vendet e Afrikës së Veriut si Maroku, Tunizia, Libia, Algjeria, si dhe Sudani, Çadi, Nigeri, Mali dhe Mauritania, pasi kjo e fundit ndërpreu marrëdhëniet e saj me Izraelin në vitin 2010. Në këtë aspekt, ndikimi i përpjekjeve të lobimit të Netanyahut në SHBA në favor të Marokut në njohjen e Saharasë Perëndimore do të bëjë situatën më të qartë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın