Analizë

Evropa duhet t'u dalë zot njerëzve të tyre nga radhët e DEASH-it

Shtetet evropiane kanë një qasje që përpiqen të heqin përgjegjësinë për njerëzit e radikalizuar

Fahri Aksüt   | 13.11.2019
Evropa duhet t'u dalë zot njerëzve të tyre nga radhët e DEASH-it

Ankara

Operacioni antiterrorist i Turqisë kundër terroristëve të PKK/YPG-së në veri të Sirisë ka shkaktuar dhe zhvendosur shumë dinamika në rajon. Kuptohet, e para prej tyre ishte përfundimi i projektit të krijimit të një shteti të udhëhequr nga PYD në rajon. 

Megjithatë, ndikimi i operacionit "Burimi i Paqes" nuk përkufizohet vetëm në këtë çështje. Disa nga zhvillimet tjera të rëndësishme janë tërheqja e SHBA-ve nga rajoni, avancimi i ushtrisë së administratës së Damaskut dhe forcave ruse, si dhe prezenca e zvogëluar e disa shteteve evropiane në rajon, duke shkaktuar që Irani të rishqyrtojë veprimet e tij.

Përderisa një proces i tillë me hapa të shpejtë po realizohet, ekziston një fenomen tjetër kritik i cili nganjëherë diskutohet, por mbetet në prapavijë të diskutimeve. Ky është fenomeni me militantët e DEASH-it, çfarë do të ndodhë me ta dhe familjet e tyre që janë në zonat e kontrolluara nga PKK/YPG?.

Nëse lufta kundër terrorizmit kërkon bashkëpunim global, shtetet të paktën mund të tejkalojnë problemin duke marrë përgjegjësinë për qytetarët e tyre dhe duke rregulluar proceset e tyre juridike.

Lexuesit mund të rikujtojnë se PKK/YPG, e cila mori rajonet e kontrolluara nga DEASH-i me mbështetjen e SHBA-ve, pati përfitime të mëdha nga ky proces. Kryesorja prej këtyre përfitimeve ishte portretizimi i vetë grupit terrorist si një aktor i domosdoshëm në luftën kundër DEASH-it.

Për shkak të këtij perceptimi të përgjithësuar, kur përmendet emri “YPG”, shumë persona në perëndim mendojnë se kjo organizatë është aleate e perëndimit kundër kërcënimit të DEASH-it. Edhe pse makineria e propagandës punon në mënyrë profesionale dhe sistematike, megjithatë kur YPG ndodhet në një situatë të vështirë, ajo kërcënon Perëndimin duke thënë se "ne do të lirojmë militantët e DEASH-it" dhe kjo strategji filloi të formojë një mjedis pozitiv për ta.

Por, siç mund të shohin ata që ndjekin nga afër fushatën, sa herë që kishte një përfitim për YPG-në, ajo ndoqi një politikë tjetër siç është lejimi i evakuimit të autokolonave të DEASH-ti nga Raka si dhe ofrimi i ndihmës për t'i sjellë ato në kufirin e Turqisë dhe për të kaluar në Turqi në mënyrë ilegale. Megjithatë, çështja e militantëve të DEASH-it që aktualisht kanë mbetur në Siri është zhvendosur në një nivel tjetër.

Gjatë ngritjes së DEASH-it, dhjetëra mijëra njerëz nga shumë vende të botës iu bashkuan kësaj organizate. Megjithëse, disa pretenduan se numri i pjesëtarëve të DEASH-it është diku midis 3.500-4.000, disa studime sugjerojnë se pjesëmarrja nga vendet evropiane në organizatë është rreth 5.000.

Pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump i cili tha se Evropa nuk dëshiron të kthejë prapa qytetarët e saj që iu bashkuan DEASH-it në Siri dhe shmang përgjegjësitë në këtë çështje, zhvillimet e fundit tregojnë se kjo çështje do të vijë përsëri në axhendë. Në fakt, çështja e militantëve të DEASH-it në Siri nuk është aq e ndërlikuar. Dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë bota iu bashkuan organizatës gjatë periudhës së saj të rritjes. Një numër i konsiderueshëm i këtyre njerëzve ose vdiqën ose u kthyen në vendet e tyre.

Sipas raporteve të fundit, numri i militantëve të DEASH-it në Siri që mbajnë një pasaportë evropiane është midis 850-1.000. Shumica e tyre janë gra dhe fëmijë në kampe të kontrolluara nga YPG. Sidoqoftë, nuk mund të injorohet fakti që ka burra që iu bashkuan DEASH-it si militantë.

Disa prej kampeve ndodhen afër ose brenda zonës së operacionit "Burimi i Paqes". Por, çështja e vërtetë është se YPG përdor këto kampe dhe praninë e DEASH-it si një resurs të rëndësishëm (kartë të fuqishme). Thjesht, YPG/PKK kërcënon të gjithë nën pretekstin e operacionit antiterrorist të Turqisë duke thënë se "ne nuk mund të kontrollojmë kampet, mund të bëni çfarë të doni". Si rezultat, YPG/PKK po përpiqet të rrisë rëndësinë e saj duke e pretenduar si një kërcënim se disa militantë të DEASH-it do të lirohen dhe ata do të kthehen në vendet e tyre.

Në fakt, menjëherë pas fillimit të operacionit antiterrorist të Turqisë, YPG/PKK u përpoq të krijojë një bazë për propagandën e saj duke shpërndarë disa foto dhe video. Edhe pse është e qartë se kur vëzhgohen pamjet e sigurisë, shihet se të burgosurit ikën me ndihmë nga brenda, perceptimi i gjeneruar përqendrohet në kërcënimet e tyre të mundshme. Kjo është aq e qartë sa që një numër në rritje i militantëve të DEASH-it po përhapet kudo duke braktisur kampet.

Atëherë, çfarë do të shkaktojë kjo situatë?

Para së gjithash, le të kujtojmë kapjen e fundit të afërsisht 200 pjesëtarëve të DEASH-it në Turqi. Me fjalë të tjera, sa herë që militantët e DEASH-it arrijnë në rajonet nën kontrollin e Turqisë, procesi gjyqësor zbatohet për ta si pjesë e masave të antiterrorizmit. Por, çështja është më e ndërlikuar. Qytetarët turq që iu bashkuan DEASH-it janë gjykuar nga sistemi gjyqësor turk. Megjithatë, qasjet e shteteve të tjera për këtë çështje janë kontradiktore. Krahas tendencës së republikave turke të Azisë Qendrore dhe Rusisë për të kthyer prapa qytetarët e tyre, shumica e vendeve evropiane i shmangen kësaj gjëje.

Përderisa vendet e Ballkanit, të cilat kanë një numër të vogël të qytetarëve në DEASH, kanë kthyer prapa qytetarët e tyre nga këto kampe dhe kanë filluar procesin e gjykimit dhe socializimit, pjesa tjetër e Evropës i qaset ndryshe kësaj çështjeje. Disa vende evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe Belgjika kanë një mendim të ndryshëm për militantët e DEASH-it, sikur "leri ata të vdesin në Siri ose të qëndrojnë në burg në Irak përgjithmonë".

Shqetësimi kryesor i vendeve evropiane është se nëse militantët e DEASH-it kthehen në vendet e tyre, ata do të jenë të lirë për shkak të boshllëqeve në procesin juridik ose do të lirohen nga burgu pas dënimeve afatshkurtra. Edhe pse ka rënë numri i sulmeve terroriste në Evropë në dy vitet e fundit, vendet mendojnë se kjo situatë mund të shkaktojë një rritje të terrorizmit. Megjithatë, shumica e njerëzve në kampet në Siri janë gra dhe fëmijë. Me fjalë të tjera, nuk ka ndonjë kërcënim terrorist në një afat të shkurtër.

Por, vendet evropiane janë të vetëdijshme se çfarë lloj procesi i radikalizmit është krijuar për shkak të ngjarjeve në Siri. Nuk duhet të jesh ekspert për të kuptuar se përshkrimi i mijëra njerëzve si pjesë e të njëjtës organizatë dhe dënimi i njerëzve për të jetuar në kushte të këqija pa ndonjë program rehabilitimi, do të forcojë besnikërinë e tyre ndaj DEASH-it. Për këtë arsye, shumica e vendeve evropiane synojnë të mos pranojnë militantët e DEASH-it nga Siria nëse militantët kanë një pasaportë të dytë ose nëse vendet mund të parandalojnë disi militantët që të hyjnë në vendin e tyre.

Megjithatë, shumë prej atyre njerëzve ishin të njohur para se t'i bashkohen organizatës. Me fjalë të tjera, vendet evropiane kanë një qasje që përpiqen të heqin përgjegjësinë për njerëzit e radikalizuar duke i bërë ata problem të një vendi tjetër. Nëse lufta kundër terrorizmit kërkon bashkëpunim global, vendet mund të paktën të tejkalojnë problemin duke marrë përgjegjësi për qytetarët e tyre dhe duke rregulluar proceset e tyre juridike. Perëndimi duhet të punojë më shumë për këtë çështje. Përndryshe, brezat e ardhshëm do të përballen me pasojat e besimit të gabuar se kjo çështje mund të shkrihet në shkretëtirat e Irakut ose Sirisë.

- Shkrimtari është një profesor bashkëpunëtor dhe anëtar i Departamentit të Xhandarmërisë Turke dhe Akademisë së Rojes Bregdetare të Sigurisë Ndërkombëtare dhe Terrorizmit

*Opinionet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Nga Serhat ERKMEN

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın