A po e provokon Suedia Türkiyen që të shmangë anëtarësimin në NATO?
Ndoshta nuk janë organizatat terroriste apo Rusia, por disa elementë brenda estabilishmentit politik dhe të sigurisë suedeze që nuk duan që Suedia të anëtarësohet në NATO

Istanbul
Nga Mehmet A. Kanci
- Autori i shkrimit është gazetar dhe analist i politikës së jashtme turke
Duke u fokusuar sërish te Rusia, ashtu si në Luftën e Parë të Ftohtë, NATO është kthyer në parametrat se saj fillestare. Që nga viti 2021, ajo është kthyer drejt zgjerimit të sferës së saj të veprimtarisë në afërsi të Republikës Popullore të Kinës. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës solli në plan të parë ide të reja zgjerimi për aleancën. Anëtarësimi në NATO i Suedisë dhe Finlandës u soll në plan të parë në kulmin e konfliktit gjatë luftës Rusi-Ukrainë, kur në tryezë ishte mundësia e një sulmi bërthamor rus.
Ndërsa Agjencia Qendrore Amerikane e Inteligjencës (CIA) nuk konfirmoi mundësinë e një sulmi bërthamor rus, Shtëpia e Bardhë këmbënguli se kërcënimi ishte real. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të luftës, mundësia që Rusia të nisë një sulm bërthamor ishte e diskutueshme dhe ishte e qartë se aftësia ushtarake e Rusisë nuk është e mjaftueshme për të nisur një ofensivë në drejtim të Gadishullit Skandinav, shteteve baltike ose Polonisë, që do të thotë se nuk mund të përbëjë kërcënim.
Megjithatë, NATO, dhe veçanërisht SHBA-ja, janë të vendosura për të sjellë Suedinë dhe Finlandën në aleancë përballë një kërcënimi që nuk duket të jetë shumë realist. Ky zgjerim ka më shumë të ngjarë se synon iniciativat gjeopolitike të së ardhmes së afërt sesa kërcënimin aktual nga Rusia. Një organizatë ushtarake që mund të shtrijë ndikimin e saj në të gjithë Gadishullin Skandinav sigurisht që do të kishte një kontroll më të lehtë dhe më efektiv të rrugës tregtare të Detit të Veriut, burimeve të Rrethit Arktik dhe Detit Baltik.
Nga Samiti i Madridit e deri më sot, Suedia ka humbur kohë kot
Samiti i NATO-s i vitit 2022 në Madrid ishte fillimi i procesit të anëtarësimit të të dy vendeve, që ishte objektiv i kundërshtimeve të justifikuara të Türkiyes. Finlanda dhe Suedia për vite me radhë ishin bërë një strehë e sigurt dhe një burim financiar për organizatat e ndryshme terroriste që vepronin kundër Türkiyes. Bazuar në parimin e barabarësisë në aleancë, Türkiye kërkoi hapa konkretë nga Suedia dhe Finlanda kundër organizatës terroriste FETO dhe organizatave terroriste PKK/PYD/YPG.
Suedia ka zvarritur hapat e saj të prekshëm pavarësisht ndërrimit të qeverisë në këtë periudhë. Megjithëse ligji i ri kundër terrorizmit hyri në fuqi më 1 qershor 2023; Deri më 7 korrik, asnjë nga terroristët për të cilët Türkiye kishte kërkuar ekstradimin nuk ishin dorëzuar dhe nuk pati asnjë veprim vendimtar ndëshkues kundër aktiviteteve në rrugë të organizatës terroriste.
Përkundrazi, qeveria suedeze i dha dritën jeshile incidenteve që do të provokonin Türkiyen, duke lejuar djegien e librit të shenjtë të muslimanëve me pretekstin e lirisë së shprehjes. Kjo në mënyrë të pashmangshme sjell në mendje pyetjen e mëposhtme. Ndoshta nuk janë organizatat terroriste apo Rusia, por disa elementë brenda estabilishmentit politik dhe të sigurisë suedeze që nuk duan që Suedia të anëtarësohet në NATO. A po përpiqen këta elementë, të cilët ka të ngjarë të jenë ekstremistë të së djathtës ekstreme, t'ia kalojnë fajin Ankarasë për dështimin e Suedisë që të bëhet anëtare e NATO-s, duke mundësuar veprime për të provokuar Türkiyen?
Gjithçka e qetë në taborin suedez
Më 6 korrik, pas takimit të pestë të Mekanizmit të Përbashkët të Përhershëm Türkiye-Finlandë-Suedi të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan bëri një vlerësim të problemeve në lidhje me Suedinë në tri pika kryesore: fakti që Suedia ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret në luftën kundër terrorizmit, që Suedia, e cila dëshiron të anëtarësohet në NATO, vazhdon me embargo në industrinë e mbrojtjes ndaj një aleati të mundshëm dhe se sulmet ndaj vlerave fetare nuk parandalohen me pretekst të lirisë së shprehjes.
Kur hedhim një vështrim më të afërt veçanërisht ndaj pikës së fundit, përkatësisht veprimet që synojnë provokimin e vendeve muslimane, veçanërisht Türkiyes, duke djegur Kuranin, dyshimet se ka grupe brenda estabilishmentit politik dhe burokratik suedez që punojnë kundër anëtarësimit të vendit të tyre në NATO, bëhen edhe më të forta.
Veprimi i parë i tillë u krye më 21 janar 2023 përpara Ambasadës turke në Stokholm, nga Rasmus Paludan, një person shumë i dyshimtë me një të kaluar shumë të dyshimtë. Paludan, i cili me identitetin e tij politik përhapte islamofobinë dhe të cilit në gusht 2020 iu ndalua hyrja në Suedi, papritur iu dha shtetësia suedeze në tetor të po atij viti për shkak të nënshtetësisë së babait të tij. Në vitin 2021, Paludan u akuzua për ngacmim seksual ndaj të miturve dhe nga prilli i vitit 2022 e në vazhdim ai doli në qendër të vëmendjes me veprimet që provokuan komunitetin islam në Suedi. Në mars 2023, u parandalua përpjekja e tij për të hyrë në Britani për të djegur Kuranin.
Aksioni i dytë u krye para xhamisë së Stokholmit më 28 qershor 2023, në ditën e parë të Kurban Bajramit, pak ditë para Samitit të NATO-s. Personi që i vuri zjarrin Kuranit ishte një personazh i pazakontë dhe i dyshimtë ashtu sikur Paludani.
Sipas një deklarate që ai dha për televizionin CNN International, Salwan Sabah Matti Momika, një 37-vjeçar me origjinë nga Iraku, kishte ardhur në Suedi pesë vjet më parë dhe kishte marrë nënshtetësinë. Ai e identifikoi veten si ateist. Megjithatë, figurat arabe të mediave sociale që ndoqën këtë çështje gjetën informacione interesante për të. Momika ishte një i krishterë irakian nga Mosuli dhe, përpara se të vinte në Suedi, kishte qenë anëtar i "Brigadave të Frymës së Jezusit", një milici e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane. Pretendohet se Momika, i cili më vonë iu afrua degëve të organizatës terroriste PKK në Sinjar, iu bashkua gjithashtu një grupi tjetër milicie, të quajtur "Shqiponjat Kaldease", në vitin 2017 [1]. Përfshirja e Momikas në punën vullnetare në organizatën e së djathtës ekstreme kundër imigrantëve pas mbërritjes së tij në Suedi ngre një pyetje tjetër për të kaluarën e tij.
Dyshimet rreth atentatit ndaj Olof Palmes
Rolet e luajtura nga aktorët si Paludan dhe Momika ngrenë gjithashtu pikëpyetje në lidhje me vrasjen e kryeministrit suedez Olof Palme në vitin 1986. Palme pretendohej se kishte penguar shitjen e një sistemi raketor të prodhimit suedez që kishte kërkuar Irani, dhe për këtë arsye ai dyshohet se u vra nga një anëtar i organizatës terroriste PKK pas një takimi midis Gardës Revolucionare iraniane dhe PKK-së në Siri. Shteti suedez nuk ishte në gjendje ta zbardhte këtë vrasje. Procesi hetimor madje u fut në një rrugë pa krye me shkarkimin e zyrtarëve të policisë që kishin hetuar lidhjen me PKK-në.
Një nga ata që u përpoqën të hidhnin dritë mbi vrasjen e Olof Palmes ishte Stieg Larsson, një nga gazetarët më të njohur hulumtues suedez dhe romancier i njohur në arenën ndërkombëtare. Larsson, i cili vdiq në vitin 2004 në moshën 50-vjeçare për shkak të një sulmi në zemër, merrej me marrëdhëniet midis elementëve të ekstremit të djathtë në Suedi dhe shtetit, policisë, forcave të armatosura dhe shërbimeve të inteligjencës. Trilogjia e tij e romaneve - "Vajza me tatuazhin e dragoit", "Vajza që luante me zjarrin" dhe "Vajza që goditi folenë e grerëzave" - u botuan pas vdekjes.
Trilogjia, në të cilën ekspozohen lidhjet e ekstremit të djathtë suedez brenda shtetit, u soll edhe në ekranin e madh në dy përshtatje të ndryshme. Nëse Larsson, i cili tregoi se "Ëndrra skandinave" nuk ishte aq e pafajshme sa dukej nga jashtë, do të ishte gjallë sot, do të ishte e mundur të gjesh më shumë informacione për figurat si Paludan dhe Momika që dolën gjatë procesit të anëtarësimit të Suedisë në NATO.
A do të ndryshojë Suedia pas anëtarësimit në NATO?
Ka arsye për të besuar se shteti suedez, duke shfrytëzuar çështjet e diskutueshme mes SHBA-së dhe Türkiyes, po përpiqet të mbajë veten larg anëtarësimit në NATO, të cilin nuk e dëshiron, duke provokuar Türkiyen me një strategji tensioni të kontrolluar.
Duhet të theksohet gjithashtu se shprehitë e Suedisë për të mbrojtur dhe sponsorizuar organizatat terroriste anti-Turkiye daton shumë kohë përpara organizatave terroriste FETO, PKK/PYD/YPG. Ambasadori në pension Müfit Özdeş, në veprën e tij autobiografike "Harici Bir Hariciyecinin Not Defteri" (Shënime të një zyrtari të Ministrisë së Jashtme), jep një shembull konkret, kur shërbeu si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën turke në Stokholm në vitin 1979. Özdeş në librin e tij tregon detajet se si u mbulua incidenti nga policia dhe shtypi pasi një person u kap duke financuar organizatën terroriste ASALA. Në kohën e këtij incidenti, grupet terroriste ASALA dhe JCAG po kryenin sulmet e tyre më vdekjeprurëse kundër diplomatëve turq dhe familjeve të tyre në Evropë. Një gjë që duhet mbajtur mend për Suedinë është se ajo është burimi i akuzave të pabaza kundër Türkiyes në lidhje me të ashtuquajturin "gjenocid asirian".
Fakti që SHBA-ja dhe Gjermania garantojnë për një vend që ka qenë bajraktar i të gjitha veprimeve dhe politikave anti-Turkiye në Evropë për të paktën më shumë se 50 vjet, është një temë për një artikull tjetër. Ka gjasa që edhe nëse Türkiye miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO në Samitin e Vilniusit, nuk pritet që elementët e ekstremit të djathtë në këtë vend të ndalojnë provokimet e tyre kundër Türkiyes ose zakonin e tyre që të përdorin organizatat terroriste si pionë.
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu