Emre Gürkan Abay
28 shtator 2023•Përditësim: 29 shtator 2023
Ndërsa Ministria ruse e Financave po planifikon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në buxhet në vitin 2024 me 68 për qind në krahasim me këtë vit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se lufta kërkon “shpenzime të larta”, transmeton Anadolu.
Mediumet ruse raportojnë se në projektbuxhetin e përgatitur nga Ministria e Financave planifikohet rritja e shpenzimeve të mbrojtjes me 68 për qind në vitin 2024 krahasuar me këtë vit, duke arritur në 10,8 trilionë rubla (afërsisht 111 miliardë dollarë).
Duke u prononcuar për gazetarët lidhur me temën, Peskov ka thënë se një rritje e tillë është absolutisht e nevojshme.
“Ne po zhvillojmë një operacion special ushtarak sepse jemi në një situatë lufte hibride të nisur kundër nesh dhe kjo kërkon shpenzime të larta”, ka thënë Peskov, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, në një aktivitet të mbajtur në kryeqytetin Moskë, deklaroi se gjatë përgatitjes së buxhetit kanë marrë në konsideratë situatën në front.
“Struktura e buxhetit tonë tregon se theksi kryesor është garantimi i fitores sonë. Ky nuk është presion i vogël mbi buxhetin, por është prioriteti ynë absolut”, tha ai.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria ruse e Financave, buxheti i vendit kishte një deficit prej 2,3 trilion rublash (afërsisht 23,5 miliardë dollarë) në tetë muajt e parë të këtij viti.