Bota

Mësimdhënësit e Kosovës hyjnë në javën e dytë të grevës

Punonjësit arsimorë në të gjitha nivelet në Kosovë më 14 janar dolën në grevë të përgjithshme, ditën kur duhej të fillonte gjysëmvjetori i dytë arsimor

Zülfiya Yakup  | 20.01.2019 - Përdıtësım : 20.01.2019
Mësimdhënësit e Kosovës hyjnë në javën e dytë të grevës

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) bëri të ditur se greva e tyre e nisur do të vazhdojë në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës, sepse mësuesit kanë të drejtën e garantuar me ligj që përmes grevës t'i kundërvihen ligjit diskriminues dhe degradues mbi pagat, transmeton Anadolu Agency (AA).

SBASHK përmes një komunikate të lëshuar njoftoi se greva do të vazhdojë në të gjitha institucionet arsimore, duke filluar nga çerdhet, institucionet e arsimit parauniversitar dhe në universitete edhe në ditët në vijim, derisa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën legjitime të tyre për ngritjen e koeficienteve në projektligjin e pagave për 30 për qind për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës.

SBASHK u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur, siç thonë, kërkesën legjitime të tyre.

“Po ashtu, i kujtojmë të heqin dorë nga idetë për të bërë presione ndaj grevistëve, sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë, ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe konventat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Punonjësit arsimorë në të gjitha nivelet në Kosovë më 14 janar dolën në grevë të përgjithshme, ditën kur duhej të fillonte gjysëmvjetori i dytë arsimor.

Të punësuarit në arsimin parauniversitar në Kosovë kanë një pagë mesatare prej rreth 440 eurosh, që është e barabartë me pagësn e një shoferi në Qeverinë e Kosovës.

SBASHK thekson se nuk kërkohet rritje e pagave, por rritja e koeficientit të pagës, në mënyrë që sistemi arsimor të marrë vendin që meriton në shoqëri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın