Can Erözden
30 Nëntor 2018•Përditësim: 01 Dhjetor 2018
BRUKSEL (AA) - Policia belge arrestoi 60 protestues të "jelekëve të verdhë" për shkak të trazirave në Bruksel, njoftuan burimet e policisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lëvizja "jelekët e verdhë", që organizuan protesta kundër rritjes së çmimeve të karburantit, është përhapur para zyrave të Bashkimit Evropian (BE) në kryeqytetin belg gjatë ditës së sotme.
Protestat filluan në mesditë në mes dy institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian.
Protestuesit i vunë zjarrin dy automjeteve në qendër të qytetit, përfshirë një makinë policore, duke hedhur po ashtu shok-bomba dhe duke dëmtuar disa shenja rrugore.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Brukselit, Philippe Close, paralajmëroi më shumë arrestime në rast të vazhdimit të protestave.
Ministri i Brendshëm belg Jan Jambon gjithashtu ka dënuar dhunën e protestuesve.
Një numër i madh i protestuesve të "jelekëve të verdhë" u shpërndanë nga policia me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Protestat gjithashtu shkaktuan pengesa në transportin publik.
Protestuesit u organizuan fillimisht me emrin "jelekët e verdhë" në Francë, ku janë duke i vazhduar demonstratat në të gjithë vendin për shkak të rritjes së çmimeve të naftës për më shumë se 20 për qind brenda një viti.
Gurpi njoftoi më parë se do të mbahen protesta në Valloni, rajonin belg ku flitet gjuha frënge, që ndodhet në pjesën jugore të vendit.