Nazmi Abduramani
26 shtator 2015•Përditësim: 26 shtator 2015
SHKUP (AA) - Nisma qytetare “Koce, na kthe rrugët”, me anë të një proteste të qetë i shprehu respekt çiklistit tashmë të ndjerë, 13 vjeçarit David, dhe të gjithë viktimave që kanë ndërruar jetë në mënyrë tragjike në rrugët e Shkupit, qofshin ata këmbësorë apo çiklistë. Qytetarët e tubuar në këtë protestë i lëshuan biçikletat për tokë në rrugën “Ilindenska” për të treguar rreziqet të cilat u kanosen këmbësorëve kur kalojnë rrugën në Shkup, raporton Anadolu Agency.
Protesta nga shatërvani në rrugën “Ilindenska” në Shkup vazhdoi në parkun e qytetit, ku Davidi për herë të fundit voziti biçikletën e tij me miqtë.
“Kërkojmë nga kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski që urgjentisht të marrë përsipër kujdesin dhe obligimin që ka për të gjithë qytetarët e Qytetit të Shkupit. Kërkojmë që urgjentisht kjo infrastrukturë të jetë e sigurtë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Kërkojmë që bulevardet dhe rrugët të mos jenë pista të aeroplanëve në të cilat “fluturojnë” automobilët e me këtë rast të gjithë të tjerët do të jenë të kërcënuar. Koce na kthe rrugët, sepse duam të jemi këmbësorë”, theksoi njëri nga organizatorët e kësaj nisme, duke shtuar se vetëm gjatë tetë muajve të fundit në Shkup janë aksidentuar 15 këmbësorë dhe çiklistë.
Zllatko Radevski, babai i vajzës Ema 9 vjeçare e cila vdiq në trafik duke e shtypur një veturë, me pikëllim të thellë tha se nga pakujdesia e vozitësve dhe trafiku i çrregulluar ai ka humbur vajzën e tij 9 vjeçare.
“Vajzën time, e cila kthehej nga shkolla në këmbë së bashku me dy vajza, nuk e kam më. Meritë e kujt është kjo”, u shpreh Radevski.
Nga kjo nismë thanë se “protesta është kundër politikës së keqe qytetare, lidhur me infrastukturën katastrofale për këto dy kategori të qytetarëve.
Protesta përfundoi tek dyert e Qytetit të Shkupit duke vendosur kurorë me lule si dhe duke vendosur një pankart në të cilën shkruante “Koce, na kthe rrugët”.