Adel Ömeragiç
18 tetor 2015•Përditësim: 19 tetor 2015
PODGORICË (AA) - Mijëra njerëz u mblodhën sonte në protestën e Frontit Demokratik (DF), në qendër të Podgoricës, ku parashtruan një ultimatum për Kryeministrin Milo Gjukanoviç, që deri të shtunën të sjellë vendim për qeverinë kalimtare. Përndryshe, siç tha lideri i DF-së Andrija Mandiç, "i gjithë Mali i Zi do të vijë në Podgoricë", dhe kërkoi dorheqjen e kryemistrit Gjukanoviç.
Demostruesit para Kuvendit të Malit të Zi kanë gjuajtur policinë, duke tentuar të rrëzojnë gardhin mbrojtës, pas së cilës policia hodhi gaz lotsjellës, reporton Anadolu Agency.
Mbështetësit e DF-së, të cilët morën pjesë në protestën e sontme në Podgoricë, marshuan nga Sheshi i Republikës deri në ndërtesën e MPB-së. Në kthim, demonstruesit filluan të gjuajnë policinë pranë ndërtesës së Kuvendit, pasi së cilës policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
"Kemi një plan për të rrëzuar diktatorin. Qytetarët kanë dalë pa një thirrje publike, kurse të shtunën do t'i thërrasim nëse Gjukanoviçi nuk jep dorëheqje", tha Mandiç, kreu i DF-së.
Ai i bëri thirrje partnerit të koalicionit DPS-së për tu larguar nga qeveria.
Në mesin e demonstruesve, sonte ishte e dukshme prania e njerëzve të maskuar, të cilët në disa raste gjuanin policinë.
Forcat të shtuara policore sonte u vendosën rreth ndërtesës së Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës së Malit të Zi.
Protesta u organizua pasi policia dje ndërpreu protestën e DF-së, e cila zgjati 21 ditë. Të revoltuar nga ky veprim, DF mbrëmë organizoi tubim në Podgoricë, dhe me këtë rast policia intervenoi për shkak se qytetarët e mbledhur thyen xhamat e disa dyqaneve, hodhën gurë, shishe dhe gaz lotsjellës ndaj policisë. Pas kësaj policia, siç thuhet, në përputhje me ligjin ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Gjithashtu, policia mbrëmë deklaroi se kishte parandaluar hyrjen me dhunë në ndërtesën e Parlamentit.
Me këtë rast u plagosën lehtë disa persona, ndërsa kundër 15 qytetarëve janë ngritur padi për kundërvajtje.
Me rastin e ngjarjeve të djeshme në Podgoricë, Presidenti malazes Filip Vujanoviç sot herët bëri thirrje për respektimin e rendit kushtetues, rendin publik dhe zgjidhjen e çështjeve politike në institucionet shtetërore të Malit të Zi.