Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan memorandum mirëkuptimi
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se memorandumi përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit strategjik ekonomik midis dy vendeve dhe vendos kornizë për nxitjen e tregtisë dhe investimeve
Shkup
Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim midis qeverive të dy vendeve, transmeton Anadolu.
Marrëveshja u nënshkrua në Shkup para fillimit zyrtar të Forumit të Biznesit midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Dokumentin e nënshkruan zv/kryeministri dhe ministër i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq dhe zv/kryeministrja e Serbisë dhe ministre e Ekonomisë, Adriana Mesaroviq.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se memorandumi përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit strategjik ekonomik midis dy vendeve dhe vendos një kornizë për nxitjen e tregtisë, investimeve, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta.
"Me këtë dokument përfshihet përmirësimi i komunikimit midis institucioneve dhe sektorit privat, shkëmbimi i informacionit dhe praktikave të mira, koordinimi i politikave ekonomike, mbështetja për subjekte biznesi dhe krijimi i kushteve për një prezencë më të fuqishme të përbashkët në tregjet rajonale dhe të tretë", tha qeveria maqedonase.
Më tej, thuhet se fokus i veçantë vihet edhe mbi përmirësimin e lidhshmërisë infrastrukturore midis dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët si zhvillimi dhe modernizimi i infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore.
Me nënshkrimin e sotëm, memorandumi, i cili hyn menjëherë në fuqi dhe mbetet i vlefshëm për pesë vjet, "konfirmon vullnetin politik të qartë dhe angazhimin e përbashkët të dy qeverive për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për komunitetet e biznesit".
Siç thotë qeveria, nënshkrimi pason vizitën e përbashkët të djeshme të nënkryetarëve Stoilkoviq dhe Mesaroviq në kompanitë "Pekabesko" dhe verarinë "Kamnik", ku u prezantuan kapacitetet prodhuese, potenciali për eksport dhe perspektivat për forcimin e bashkëpunimit rajonal si dhe u theksua se kompanitë e suksesshme nga të dy vendet përfaqësojnë një bazë të fortë për përshpejtimin e lidhjes ekonomike.
Pritet që forumi të hapë partneritete të reja, të forcojë kontaktet biznesore dhe të mundësojë operacionalizimin e shpejtë të prioriteteve të parashikuara me memorandumin, duke kontribuar në një zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik edhe më intensiv midis dy shteteve.
