Zlatan Kapiç
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
BEOGRAD (AA) – Drejtori i Zyrës për Kosovën brenda qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç, deklaroi se për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviçit, delegacioni serb ka braktisur dialogun teknik me Prishtinën në Bruksel dhe ka vendosur të kthehet në shtëpi, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjuriç tha se vrasja e Ivanoviçit është “një vepër makabre dhe terroriste”, me qëllim që në veri të Mitrovicës të shkaktohet kaos dhe trazira.
"Pavarësisht se kush qëndron prapa kësaj vrasjeje, duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, tha ai.
Sot në Bruksel ishte planifikuar që të vazhdojë procesi i bisedimeve mes ekipit nga Prishtina dhe atij nga Beogradi. Në këtë takim ishte paraparë të diskutohen zbatimi i marrëveshjeve të arritura, për Asociacionin e Komunave Serbe, lëvizjen e lirë, administrimin e integruar të kufijve, gjyqësorin, energjinë dhe tema të tjera.
Bisedimet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit janë mbajtur në fillim të dhjetorit të vitit 2016.
Ndërkohë, presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thirrur për në ora 12:00 një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas çka pritet t'i drejtohet opinionit.
Lideri i nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri mëngjesin e sotëm.