Sibel Vezaj
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dënuar ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviç, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë me shkrim nga Presidenca thuhet se Presidenti Thaçi ka dënuar ashpër vrasjen e Ivanoviçit.
“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Kujtojmë se sot në mëngjes Ivanoviç ishte qëlluar me armë para zyrës së tij në veri të Mitrovicës. Më pas ai iu nënshtrua plagëve të rënda si pasojë e sulmit me armë.