Bekim Laci
10 Dhjetor 2015•Përditësim: 11 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA)- Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Hungari, në ditën e dytë është takuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryeministri Thaçi, siç informon kabineti i tij ka thënë se viti 2015 ishte vit evropian për Kosovën, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave. Ai ka falënderuar kryeministrin Orban për përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë për Kosovën.
Shefi i diplomacisë kosovare ka potencuar se marrëveshja ndërshtetërore për bashkëpunim ekonomik, e nënshkruar dje me ministrin e Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, do t’i kontribojë zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin e ekonomisë.
Kryeministri Orban nga ana e tij është interesuar për zhvillimet në Kosovë e rajon dhe ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur nismat për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Pas takimit me kryeministrin Orban, zëvendëskryeministri Thaçi realizoi një takim bilateral edhe me kryetarin e parlamentit hungarez, Laszlo Kover, me të cilin gjithashtu biseduan për bashkëpunimin e mirë mes dy parlamenteve.
Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, zëvendëskryeministri Thaçi nënshkroi marrëveshjen për transport rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, ndërsa ka mbajtur ligjëratë me temën “Jetësimi i perspektivës euroatlantike të Kosovës”, para studentëve në Universitetin Kombëtar të Shërbimeve Publike në Budapest (National University of Public Service – NUPS), të organizuar nga Instituti i Punëve të Jashtme të Hungarisë.