Zülfiya Yakup
26 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, priti në takim ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin e mundshëm dhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Tahiri homologen e tij e njoftoi për reformat e ndërmarra në axhendën ligjore dhe ndryshimet e bëra në legjislacionin në fushën penale.
"Ai theksoi punën në reformën gjyqësore, duke filluar me rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, proces të cilin e udhëheq Ministria e Drejtësisë me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë dhe institucioneve ndërkombëtare, të cilët do të përcaktojnë vlerat, përgjegjësitë dhe mandatet që synojnë një rend ligjor demokratik, të përgjegjshëm dhe efikas", njoftuan nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës.
Përmirësimi i përvojës së qytetarëve me gjyqësorin, sipas ministrit Tahiri, do të arrihet përmes programit të përbashkët "Drejtësia 2020", i cili synon të zgjidhë problemet kryesore të sektorit në periudhën prej dy vjetësh dhe të përfundoj tranzicionin e gjyqësorit.
Ministrja Gjonaj e njoftoi ministrin Tahiri për zbatimin e reformave gjyqësore në Shqipëri dhe kërkoi shkëmbimin e përvojave në fushën e ndërmjetësimit, si një nga mundësitë kryesore që kanë qytetarët në zgjidhjen alternative të rasteve të tyre.
Gjonaj gjithashtu ofroi mbështetjen e institucioneve shqiptare në procesin e integrimit evropian nëpërmjet përvojës së vendit të saj në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga hapja e kapitullit 23 dhe 24 të integrimit evropian.
Në takim gjithashtu u diskutua edhe thellimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet shërbimit korrektues të Kosovës dhe institucioneve korrektuese në Shqipëri.