Politikë

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për ndalimin e lojërave të fatit

Me asnjë votë kundër Kuvendi miratoi rezolutë që parasheh t’i ndalojë kazinotë dhe lojërat e fatit për një periudhë prej 10 vjetësh

Agim Sulaj  | 22.03.2019 - Përdıtësım : 24.03.2019
Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për ndalimin e lojërave të fatit ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar rezolutën e cila do të ndalojë veprimtarinë e kazinove dhe lojërave të fatit në territorin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Me 74 vota, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, rezoluta u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.

Kjo iniciativë erdhi nga opozita, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pas dy vrasjeve që ndodhën në dy kazino, në dy qytete të ndryshme të Kosovës. Ku në të dyja rastet pësuan punëtorët e kazinove.
Pas konsultimeve me grupet parlamentare, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka lexuar rezolutën e plotësuar në të cilën përfshihen dy pika: “Që Qeveria e Kosovës të nis procedurat ligjore për ndalimin e aktivitetit të lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit; dhe që brenda 30 ditësh të sjell në Qeveri ligjin e plotësuar që ndalon në një periudhë 10 vjeçare aktivitetin e tyre”.

Për më shumë se një orë, në Kuvend pati diskutime rreth këtij problemi. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se shumë familje kanë pësuar nga varësia e lojërave të fatit.

“Më 11 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës e ka miratuar Koncept Dokumentin për Lojërat e Fatit, ku parashihet promovimi i këtij sektori si mundësi për zhvillim ekonomik, të ardhura dhe punësim, si dhe rritje të buxhetit të shtetit. Por, ajo që dihet për këto biznese është se plot familje në Kosovë kanë humbur çdo gjë për shkak të varësisë nga lojërat e fatit. Në vend se të kontrollohen e të ndëshkohen për shpërdorime, kazinotë janë shtuar nëpër të gjitha vendbanimet. Janë raportuar vetëvrasje si rezultat i humbjes së pasurisë në lojërat e fatit. Kjo sepse në kazinot e Kosovës luhet vetëm me fatin e njerëzve”, tha Hoti.

Rezolutën e mbështeti edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nëpërmjet deputetit Memli Krasniqi.

“Duke pasur parasysh ngjarjet tragjike të ditëve të fundit dhe po ashtu edhe diskutimet publike lidhur me këtë çështje gjatë këtyre muajve, me qenë se tashmë propozuesi e lexoi draftin e rezolutës unë edhe në emër të grupit parlamentar të PDK-së shpreh mbështetje për këtë tekst duke shpresuar që kjo rezolutë të implementohet menjëherë, ashtu siç kërkohet”, tha Krasniqi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se duhet hetim i korrupsionit me kazinotë.

“Si është e mundur të ketë qindra kazino në Kosovë. Të cilat kanë arritur ta marrin liçencën afër shkollave, afër çerdheve dhe afër institucioneve fetare në kundërshtim me ligjin. Në këtë prapavijë është indikator i qartë që ekziston një korrupsion të cilin vetëm duhet hetuar sepse ai korrupsion kapet. Mirëpo këtu nuk ka vullnet me e hetu këtë korrupsion”, tha Konjufca.

Edhe deputetët e AAK-së kanë deklaruar se janë pro miratimit të kësaj rezolute, e po ashtu edhe Nisma.

Dje (e enjte), në Suharekë është zhvilluar një peticion i organizuar nga kryetari i kësaj komunë Bali Muharremaj, i mbështetur edhe nga bashkësitë fetare e qytetarë të shumtë për mbylljen e kazinove.

Rasti i parë ndodhi në Suharekë më 17 mars, kur në kazino u vra një 30 vjeçar nga një polic. Ndërsa rasti i dytë më 20 mars në Lipjan, ku pas një grabitjeje në kazino, u qëllua punëtori i kazinosë, një 36 vjeçar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın