Bakir Tiro
01 tetor 2015•Përditësim: 01 tetor 2015
SARAJEVË (AA) - Në renditjen e FIFA-s për ekipet kombëtare Shqipëria zë vendin e 32 me 755 pikë, duke rënë për shtatë pozita në krahasim me renditjen e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në renditjen më të re të ekipeve kombëtare të publikuar sot, skuadra më e suksesshme nga rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë Kroacia.
Kombëtarja kroate në krahasim me muajin e kaluar ka rënë për dy pozita dhe tani renditet në pozitën e 16-të (965 pikë). Shqipëria ka rënë për shtatë pozita dhe aktualisht zë pozitën e 32-të (755 pikë), Sllovenia është e 46-ta (662), Serbia e 63-të (538 pikë), Mali i Zi i 72-të (470). Maqedonia ka rënë për 28 pozita dhe tani ndodhet në vendin e 132-të me vetëm 239 pikë.
Në krye të listës ka patur ndryshime. Që nga sot kombëtarja më e mirë e futbollit është Argjentina (1.419 pikë), e cila pas shumë kohësh hoqi nga froni Gjermaninë, tashmë të dytë (1.401). Spanja u ngjit për pesë shkallë, dhe kështu u kthye në TOP 10, ku zë pozitën e gjashtë me 1.223 pikë.