Fatjon Cuka
25 shtator 2015•Përditësim: 25 shtator 2015
TIRANË (AA) – Me rastin e Ditës Botërore të Kontracepsionit, është organizuar në Tiranë takimi me temë: “Qasja e integruar ndaj shërbimeve të Planifikimit Familjar në Shqipëri”, në bashkëpunim me USAID, Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNFPA, raporton Anadolu Agency (AA).
Slogani i këtij viti është “është jeta juaj-bëj zgjidhjen tënde”, dhe sipas organizatorëve kjo është një fushatë që bashkon përpjekjet e të gjithë partnerëve për një shoqëri ku nevojat për kontraceptiv janë të plotësuara, ku çdo shtatzëni është e dëshiruar dhe ku çdo çift pavarësisht statusit të tyre shëndetësor apo social-ekonomik bën zgjedhjen e duhur që i përshtatet nevoja të shëndetit dhe gjendjes sociale të tyre.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj, i cili në fjalën e tij u shpreh se ky takim sjell në vëmendje një çështje shumë të rëndësishme, për shëndetin publik dhe për mirëqenin e qytetarëve, siç është qasja e integruar për shërbimet e planifikimit familjar në Shqipëri.
“Dita Botërore e Kontracepsionit synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për vizionin e një bote ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar. Misioni i kësaj nisme dhe kësaj dite është që të përmirësoje ndërgjegjësimin rreth të gjitha metodave të kontracepsionit për të mundësuar që çdo kush të bëjë zgjedhje të informuara lidhur me shëndetin seksual e riprodhues për të pakësuar numrin tashmë të rritur të shtatzënive të pa planifikuara, të aborteve dhe të infeksioneve seksualisht të transmetueshme”, u shpreh Beqaj.
Beqaj ka deklaruar në fjalën e tij se në të gjithë botën vlerësohet se 40 përqind e shtatzënive që ndodhin janë të pa dëshiruara dhe nga kjo shifër sipas tij, më tepër se gjysma e tyre përfundojnë në abort.