BALLKANI

Besimtarët e vendeve të rajonit falin namazin e Kurban Bajramit

Në vendet e rajonit javët e fundit janë regjistruar numra të ulët të rasteve të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), pas çka autoritetet kanë lehtësuar masat dhe është mundësuar falja e namazit si zakonisht

Abdula Berisha, Fatjon Cuka, Agim Sulaj  | 20.07.2021 - Përdıtësım : 21.07.2021
Besimtarët e vendeve të rajonit falin namazin e Kurban Bajramit ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Shkup/Tiranë/Prishtinë

Besimtarë të shumtë janë mbledhur në xhamitë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë për të falur namazin e Kurban Bajramit, duke shënuar fillimin e njërës prej festave më të mëdha të muslimanëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vendet e rajonit javët e fundit janë regjistruar numra të ulët të rasteve të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), pas çka autoritetet kanë lehtësuar masat dhe është mundësuar falja e namazit si zakonisht.

Maqedonia e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, ceremonia qendrore u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, në prani të kreut të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, si dhe muftive, përfaqësuesve të institucioneve tjera fetare dhe besimtarëve të shumtë.

Gjatë programit të organizuar para faljes së namazit, kori i medresesë Isa Beu këndoi pjesë nga Kur'ani dhe disa ilahi në gjuhën shqipe, maqedonase, turke dhe boshnjake.

Pas faljes së namazit, hytben e bajramit e mbajti kreu i BFI-së i cili përcolli mesazhe të paqes dhe solidaritetit, ndërsa më pas në deklaratë për media theksoi edhe rëndësinë e kurbanit, që është veçori e kësaj feste.

"Sot, nesër dhe ditën e tretë të Kurban Bajramit do të ndahet mishi i Kurban Bajramit të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh besimin, etnikumin, e kështu me radhë, me çka do të tregojnë në praktikë se ky ibadet, ky obligim, është paqe në mes njerëzve, është solidaritet, është humanitet, është afrim me njeri-tjetrin, është shërbim ndaj të tjerëve, është kujdesi i nivelit të lartë ndaj njeriut, që është krijesa më madhështore e Allahut Fiqiplotë", tha Fetahu.

Shqipëri

Besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Kurban Bajramit në xhamitë e vendit, por edhe në sheshet e qyteteve.

Programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Pjesë e programit qendror në Tiranë ishin edhe leximi i Kur’anit, ligjërata dhe hytbeja.

Namazi i Bajramit është falur edhe në xhamitë e Shqipërinë, duke u mbledhur së bashku besimtarët muslimanë.

Kosovë

Edhe në Kosovë, besimtarët muslimanë e kanë falur namazin e Kurban Bajramit me prezencë fizike në të gjitha xhamitë e vendit.

Për shkak të lirimit të masave anti-COVID-19, në Xhaminë e Madhe të kryeqytetit “Sulltan Mehmet Fatih”, u mblodhën një numër i madh besimtarësh që erdhën për të falur namazin e sabahut, të dëgjojnë hytben e Kurban Bajramit, si dhe të falin namazin e bajramit.

Hytben e Kurban Bajramit e mbajti kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, i cili tha se festa e Kurban Bajramit është ndër festat më të rëndësishme për muslimanët.

Tërnava tha se edhe këtë vit për shkak të gjendjes pandemike nuk është lejuar vizita në vendet e shenjta Islame, ndërsa tha se therja e kurbanit gjatë kësaj feste është obligim për ata që kanë mundësi.

Kreu i BIK-ut, tha se ndër begatitë më të mëdha të kësaj feste është edhe sofra e Bajramit, e cila stimulon të mendohet për vlerat e familjes dhe të afërmve.

“T’i shijojmë mirësitë e sofrës së Bajramit, me dashuri e respekt, pranë familjeve tona, pranë farefisit tonë sepse s’ka gjë më të rëndësishme në botë sesa ruajtja e familjes dhe edukimi i saj. E kemi për obligim fetar por edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familje, ta kultivojmë, të kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të. Për ne familja është e shenjtë, prej së cilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe llojit njerëzorë mbi tokë”, theksoi Tërnava.

Gjatë ceremonisë u kënduan edhe ilahi, ndërsa pas faljes së namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin e më pas u shpërndanë për të kremtuar festën edhe familjarë dhe të miq të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.