Bekim Laci
03 maj 2016•Përditësim: 03 maj 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar popullin e Kosovës, Federatën e Futbollit dhe lojtarët e kombëtares për pranimin e Kosovës në UEFA, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi urimet e veta i përcolli përmes llogarisë zyrtare në Facebook.
"Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare - disa lojë do t'i fitojmë, disa do t'i humbim, por kurrë më s'do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe Federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve", shkroi presidenti Thaçi.
Më herët, 54 delegatët e Kongresit të 40-të të UEFA-së, me 28 vota pro, 24 kundër dhe 2 abstenime në Budapest votuan për pranimin e Kosovës në UEFA.
Votimi është bërë në mënyrë të fshehtë dhe pas një debati të nxehtë në mes të përfaqësuesit ligjor të UEFA-s, i cili kërkoi që Kosova të votohet në këtë kongres dhe kryetarëve të federatave të futbollit serb, zviceran dhe malazez, që e kundërshtuan.