Ayhan Şimşek
21 shtator 2015•Përditësim: 21 shtator 2015
BERLIN (AA) - Ndihma ushtarake ruse për regjimin e Bashar al-Assadit në Siri, rrezikon të tërheqë më shumë ekstremistë dhe të minojë zgjidhjen politike, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ndihma e vazhdueshme ushtarake që Rusia apo ndonjë shtet tjetër ja jep regjimit, rrezikon mundësinë e tërheqjes së më shumë ekstremistëve, që do të fortifikojë edhe më shumë Assadin dhe do të pengojë mundësitë për zgjidhje”, deklaroi Kerry në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier në Berlin.
Komentet e Kerry-t, u bënë pas informacioneve për intensifikimin e ndihmës dhe dërgesave ushtarake ruse për regjimin e Asadit.
Kerry ka nxitur Rusinë të shfrytëzojë ndikimin që ka, në mënyrë që të bind Assadin të pranojë zgjidhje politike.
“Ashtu siç kemi thënë disa herë, nuk ka zgjidhje ushtarake. Nevojitet zgjidhje politike.”- tha ai, duke përsëritur qëndrimin e SHBA-ve se, Assadi duhet të heq dorë nga forca, ndërsa për largimin e tij siç tha, mund të negociohet.
Kerry tha se vendimi i SHBA-ve për të negociuar me ushtrinë e Rusisë nuk nënkupton ndryshim të politikës, por se paraqet përpjekje që të shmangen aksidentet dhe të përpilohet një plan në luftë kundër DAESH-it.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të pranojë së paku 85,000 refugjatë nga Siria, nga të cilët 10,000 këtë vit.