Gülşen Topçu
21 shtator 2015•Përditësim: 21 shtator 2015
AMMAN (AA) - Koordinatori i Çështjeve Humanitare dhe Urgjencave në OKB, Stephen O'Brien i ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare për të lehtësuar peshën e Turqisë dhe Jordanisë në lidhje me refugjatët sirianë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një vizite zyrtare në Jordani në një konferencë për mediat në kryeqytetin e këtij vendi, Amman O'Brien tha se: "Institucionet ndërkombëtare duhet të punojnë në koordinim të vërtetë me Turqinë dhe Jordaninë për të lehtësuar sadopak peshën e refugjatëve nga Siria që dita ditës po shtohen".
O'Brien, tha se është mahnitur nga bujaria që Turqia tregon ndaj refugjatëve sirianë. “Këtë e kam vërejtur gjatë vizitës time në Gaziantep” tha O'brien, duke shtuar se ndihma që Jordania ofron për refugjatët sirianë është e koordinuar me aktorët ndërkombëtarë.
Nga fondi për nevojat jetike të refugjatëve gjatë vitit 2015 ndërkombëtarët arritën të mbledhin vetëm 38 përqind tha O'brien dhe ftoi ndërkombëtarët të ndihmojnë Jordaninë për tu ardhur në ndihmë refugjatëve që ndodhen këtu.
Sipas statistikave zyrtare në Jordani gjenden rreth 1 milion e 400 mijë refugjatë, kryesisht sirianë.