Admir Fazlagic, Nazmi Abdurahmani
18 shtator 2015•Përditësim: 18 shtator 2015
GJEVGJELI (AA) - Në kufirin jugor të Maqedonisë momentalisht nuk ka refugjatë. Por, në vijën kufitare maqedonase-greke vërehet prania e policisë kufitare e cila është aty për të kontrolluar refugjatët në territorin e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Refugjatët të cilët që nga mëngjesi qëndruan në qendrën e pranimit në Gjevgjeli, kanë udhëtuar me tren drejt vendkalimit kufitar verior në Tabanoc. Qendra e pranimit është thuajse e boshatisur. Por, këtu janë ekipet e UNHCR-së, Kryqit të Kuq dhe organizatat tjera joqeveritare. Përgatiten që të presin një numër të madh të refugjatëve, meqë nga kolegët e tyre të palës greke kanë marrë informacione se gjatë ditës, si dhe gjatë ditëve në vijim do të mbërrijnë një numër i madh i refugjatëve.
"Edhe sot është shumë nxehtë sikur që ishte edhe dje. Gjatë ditës së djeshme prej orës 18:00 deri tani kanë hyrë 4.800 refugjatë. Presim më shumë refugjatë të mbërrijnë. Jemi në kontakt me kolegët tanë të palës greke. Mësuam se më shumë autobusë do të mbërrijnë gjatë ditës, ashtu që presim më tepër refugjatë sot. Rrjedhimisht, kemi siguruar më shumë ujë dhe ushqim", deklaroi për Anadolu Agency, Aleksandra Kraus, përfaqësuese e UNHCR-së.
E pyetur për numrin konkret të refugjatëve, ajo thekson se nuk mund parashikojë numrin e refugjatëve që pritet të mbërrijnë përnjëherë, gjithçka varet nga ajo se si refugjatët hyjnë në Greqi dhe si kalojnë kufirin drejt Maqedonisë.
"Nuk mund të flasim për numrin konkret të refugjatëve që presim të mbërrijnë, gjithmonë është ndryshe për të parashikuar sesa shpejtë ata do të nisen nga Athina, Pieru apo Kavali. Ata mbërrijnë me anije të ndryshme, në kohë të ndryshme, ndërsa varet edhe sa shpejtë do të kalojnë kufirin me palën greke. Ajo varet nga autoritetet kufitare të palës greke se sa shpejtë do t'i lëshojnë dhe në çfarë numri do të jenë grupet", theksoi Kraus.
Të shumta janë pyetjet për të cilat refugjatët kërkojnë përgjigje kur arrijnë në qendrën e pranimit. Pyetjet më të shpeshta janë se si ta vazhdojnë rrugën dhe se ku të drejtohen. Nuk janë të informuar mirë as për gjendjen e kufirit hungarez dhe atë kroat.
"Kemi shumë pyetje nga ana e refugjatëve, këtu kemi një qendër informuese, përkthyese, vullnetarë, këtu ka të punësuar të UNHCR-së të cilët informojnë refugjatët varësisht nga informata të cilën e marrin nga vendkalimi kufitar në të cilin ata pyesin", tregon Kraus.
Udhëheqës terreni i UNHCR-së për Maqedoninë, Lorenzo Leonelli, gjatë ditës së djeshme në një deklaratë për AA, duke folur për numrin e pritur të refugjatëve gjatë ditëve në vijim, tha se sipas informatave që posedon, pret që gjatë 4-5 ditëve të ardhshme rreth 23 mijë refugjatë të arrijnë nga Greqia në kufirin jugor të Maqedonisë.