Aleš Beno, Nazmi Abdurrahmani
18 shtator 2015•Përditësim: 18 shtator 2015
BËRDOVEC (AA) - Dhjetëra refugjatë në mënyrë të paligjshme kanë hyrë sot në Slloveni nga Kroacia jo shumë larg vendkalimit Harmicë në vendbanimin kufitar me të njëjtin emër në komunën e Bërdovec-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesëtarët e policisë kufitare të Sllovenisë patrullojnë përgjatë kufirit dhe grupe të vogla të refugjatëve arrijnë në Brezhicë, ku gjendet qendra e pranimit. Një tren me rreth 150 refugjatë i cili nga Kroacia ka ardhur në Dobovë, është nisur mbrëmë vonë për në Lubjanë, prej ku ka vazhduar për në Postojn ku gjendet qendra e pranimit, raporton korrespondenti i AA-së nga Dobova në Slloveninë lindore.
Ndonëse më herët ishte paralajmëruar se autoritetet sllovene do t'i kthejnë refugjatët prapa në Kroaci, u ndryshua ky vendim dhe treni transportues mori status të "mjetit hekurudhorë për qëllimeve të veçanta".
Me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, vendkalimet Tovarnik, llok, llo2, Principovac, Principovac 2, Batina dhe Erdut, që gjenden në kufi me Republikën e Serbisë, prej mbrëmë janë mbyllur.
Duke marrë parasysh faktin se deri në orën 22:00 në territorin e Republikës së Kroacisë, pas evidencës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë hyrë 11.003 refugjatë, Kroacia vendosi që të mbyll vendkalimin kufitar me Serbinë dhe në këtë mënyrë të reduktojë apo pezullojë qarkullimin e refugjatëve.