Dejan Maksimoviç
21 shtator 2015•Përditësim: 21 shtator 2015
OPATOVAC (AA) – Qendra për pranim Opatovac prej mbrëmë është destinacion i ri në të cilën Ministria e Brendshme e Kroacisë sjellë refugjatët të cilët në këtë vend kanë hyrë përmes vendkalimit kufitar Tovarnik, informon gazetari i Anadolu Agency (AA).
Në këtë mënyrë është ulur presioni në vendkalimin kufitar Tovarnik në të cilin gjatë 6 ditëve të kaluara kanë arritur më shumë se 25.000 refugjatë nga Afrika dhe Lindja e Afërt.
Opatovac nga Tovarnik-u është larg rreth 20 kilometra, ndërsa refugjatët në qendrën e pranimit arrijnë me autobusët e transportuesve lokal, të cilët në mënyrë të posaçme janë angazhuar duke patur parasysh situatën specifike.
Qendrën e pranimit mbrëmë ka filluar ta ndërtojë ushtria kroate dhe ka arritur ta përfundojë në afat rekord. Në kamp ndodhen më shumë se 200 tenda ushtarake, ku secila prej tyre ka kapacitet prej 26 personash.
Në këtë kamp njëkohësisht mund të qëndrojnë më shumë se 4.000 njerëz. Plani është që refugjattët në qendrën e pranimit në Opatovac të mos qëndrojnë më shumë se 48 orë, përveç në situata të veçanta kur bëhet fjalë për lidhjet familjare ose gjendjen e rëndë shëndetësore.
Kryqi i Kuq i Kroacisë dhe organizatat e tjera humanitare si dhe popullata lokale kanë siguruar sasi të mjaftueshme të ushqimeve dhe mjeteve të tjera elementare higjienike.
Prej mbrëmë situata në vendkalimin kufitar në Tovarnik është dukshëm më e mirë, sepse tani refugjatët arrijnë të organizuar në Opatovac, prej ku vazhdojnë rrugën për në Evropën Perëndimore. Siç kemi mësuar autobusët nga kjo qendër e pranimit transportojnë në drejt disa vendkalimeve kufitare me Hungarinë.
Në këtë listë mes tjerash janë Baranjsko Petrovo Selo, Virovitica, Opovo…Një pjesë e caktuar drejtpërdrejtë nga Tovarnik-u shkojnë për Opovo.
Sot MPB-ja e Kroacisë ende nuk ka publikuar të dhënat zyrtare rreth asaj se sa refugjatë deri më tani kanë hyrë. Dyshohet se bëhet fjalë për një shifër rreth 30.000 njerëz. Mbrëmë rreth 5.000 refugjatë janë transportuar deri në Hungari.