GJEVGJELI (AA) – Mundimet e refugjatëve, rruga e vështirë dhe fati i hidhur i tyre është tema qendrore në të gjitha mediat botërore. Rrëfimet e tyre për jetën, siç thonë edhe vetë, zbulojnë jetën e hidhur dhe pasigurinë nga njëra anë, përderisa në anën tjetër, sipas fjalëve të njërit prej tyre, fati i refugjatit tregon se “njeriu është më i fortë se guri”.
Rrëfimin e tij për Anadolu Agency (AA), e kanë treguar refugjatët e rinj, Arzu, 19 vjeçe dhe vëllai i saj dy vite më i ri Muhammed, 17 vjeç. Ata rrugëtimin e tyre e kanë nisur nga Irani, vend të cilin e kanë braktisur para pesë viteve, për shkak se siç thonë, problemeve të shumta dhe fatkeqësive, por janë të gatshëm të rrezikojnë veten për ti siguruar vetes jetë më të mirë, në të cilën lufta është e kaluar.
Arzu dhe Muhammed kanë arritur në kampin e refugjatëve. Ata janë të lodhur nga rruga e gjatë dhe e mundimshme. Pas qëndrimit të shkurtër në Maqedoni, shpresojnë që edhe përskaj shumë vështirësive të arrijnë në destinacionin e dëshiruar.
“Dëshirojmë të shkojmë në Gjermani ose Suedi. Asnjëherë nuk kam qenë në Afganistan, 15 vite kemi jetuar në Iran, prandaj e kemi braktisur këtë shtet sepse kemi patur shumë probleme. Vëllai im nuk ka mundur të shkojë në shkollë. Duam të shkojmë në Evropë dhe të vazhdojmë arsimimin”, thotë në deklaratën e saj për Anadolu Agency, 19 vjeçarja Arzu.
Bashkë me te është edhe vëllai i saj më i ri Muhammed, i cili thotë se nuk ndjehet mirë. Shkollimi është prioritet për të, edhe pse për shkak të rrethanave të vështira ka qenë i detyruar patjetër të ndërpresë. “Deri në klasën e pestë kam mësuar në Iran, ndërsa shteti nuk më ka lejuar të vazhdoj shkollimin. Nuk kemi patur gjasa të nisemi. Përderisa pushteti neve na zë, na kthen në Afganistan, kurse nga ana tjetër atje ka luftë, atje nuk mund të kthehemi dhe vendosëm të shkojmë në Turqi. Atje ndërkohë kam punuar dhe mësuar, por megjithatë nuk kemi pasur para të mjaftueshme, dhe për një jetë më të mirë jemi nisur në këtë rrugë», thotë 17 vjeçari Muhammed.
“Plot 25 ditë udhëtojmë dhe ende nuk kemi arritur. Dëshiroj të iki nga problemet. Gjendja e popullit në Afganistan është tejet e keqe, lufta po zgjat me vite të tëra. Prindërit e mi janë lindur në Afganistan, kurse në Iran kanë shkuar për një jetë më të mirë ku jemi lindur ne të dy”, tregon Muhammed, duke folur rreth fatit të tij si refugjat, se si prindërit e tij kanë qenë të detyruar të ikin vendin e tyre të lindjes, siç e bëjnë tani ai dhe motra e tij Arzu.
Edhe Arzu ka qenë e detyruar të ndërpresë shkollimin, kurse gjendja e vështirë në të cilën është gjetur, ka qenë më e fuqishme se dëshira për shkollim, por beson se do të vazhdojë shkollimin.
“Kemi jetuar në Turqi 4 vite, nuk kam mundur të shkojë në shkollë sepse është dashur patjetër të punoj. Babai im ka mbetur në Turqi sepse nuk kemi patur para të mjaftueshme”, thotë Arzu, e cila shpreson se do të vijnë ditë më të mira, kur do të jetë bashkë me babain e saj.
“Në qoftë se ne kemi të holla në të ardhmen do të vijë edhe babai im. Nuk e shoh Afganistanin në të ardhmen por do të shkoja të vizitoj këtë vend”, tregon Arzu.
Në periudhën e ardhshme, ajo dëshiron të fokusohet në arsimim. Për këtë qëllim, vlerëson se më së miri është të udhëtojë drejt Gjermanisë.
“Nuk e di se edhe sa do të udhëtoj, por dëshiroj të shkoj në Gjermani ku pa brenga do të shkoj në shkollë, nuk dua të punoj”, thotë Arzu.
Muhammed-in e merr malli për Afganistanin, sepse është vendlindja e prindërve të tyre. Ai shpreson se një ditë do të vizitojë këtë shtet.
“Nëse merr fund lufta në Afganistan do të dëshiroja të vizitojë këtë vend sepse atje asnjëherë nuk kam qenë. Fundja, secili refugjat do të dëshironte të kthehej në shtëpinë e tij. Lutem që lufta sa më parë të përfundojë», shpreson i riu Muhammed, duke kërkuar ndihmë siç thotë “nga të gjithë njerëzit e mirë”.
“Dëshiroj që bota neve të na ndihmojë”, tha ai. Muhammed i cili ndodhet në Qendrën e pranimit në Gjevgjeli ka arritur të zë trenin i cili do ti transportojë refugjatët në veri të Maqedonisë prej ku do të vazhdojnë udhëtimin nëpërmjet Serbisë në Europë. Këta njerëz të rinj duke folur për fatin e tyre të hidhur thonë se ka arritur “treni në të cilin udhëton shpresa për një të nesërme më të mirë”.
news_share_descriptionsubscription_contact
