Besar Ademi
18 shtator 2015•Përditësim: 18 shtator 2015
GJEVGJELI (AA) – Në qendrën e pritjes për refugjatë që ndodhet në afërsi të qytetit të Gjevgjelisë janë të vendosur rreth 600 refugjatë, ndërsa rreth 100 tjerë sapo kaluan vendkalimin kufitar greko-maqedonas dhe u drejtuan për në qendrën e pritjes. Ata pas marrjes së lejes do të marrin trenin për në kufirin verior me Serbinë, tren i cili sipas të punësuarve në Hekurudhat e Maqedonisë është i katërti me radhë dhe i fundit për sot, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë ditës së sotme në vendkalimin kufitar greko-maqedonas nuk ka pasur turma të mëdha të refugjatëve, por vëreheshin vetëm grupe të vogla prej dhjetra refugjatësh, të cilët në çdo një orë e gjysmë hynin në territorin e Maqedonisë. Policia kufitare maqedonase informojnë se gjatë ditës së sotme është ulur numri i refugjatëve, për arsye të transportit të pezulluar nga ana e Greqisë. Pasi refugjatët kalojnë kufirin, policia në grupe i drejton për në qendrën e pritjes, ku zbatohet procedura e kontrollimit dhe regjistrimit dhe më pas transportohen drejt kufirit verior.
Shihet qartë se refugjatët që arrijnë në qendrën e pritjes janë të lodhur dhe të raskapitur, së pari për shkak të të afërmëve të tyre që i kanë lënë në vende ku zhvillohet luftë, shumica e të cilëve në Siri, ndërsa së dyti për shkak të frikës gjatë udhëtimit të tyre të pasigurtë drejt Hungarisë, siç thonë ata, pjesa më e vështirë e udhëtimit, ku policia e këtij vendi u tregon dhunën refugjatëve.
“Ju lutem mos na filmoni, nuk duam të dalim në media, sepse nëse qeveria jonë i sheh këto, do të jetë shumë e rrezikshme për sigurinë tonë dhe jetën e familjeve tona që ndodhen në vendet ku udhëhiqet një luftë e vështirë”, tha një sirian, i cili ishte udhëheqës i një grupi refugjatësh prej rreth 30 personave që pritnin në rradhë për të marrë trenin për në Tabanovcë.
Në periudhën prej orës 8 të mëngjesit të ditës së mërkurë deri në orën 8 të mëngjesit të ditës së sotme, sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë janë lëshuar gjithsej 1.871 certifikata shtetasve të huaj. Shtetësia e personave që kanë marrë certifikat janë shumica nga Siria (1.089), pastaj nga Afganistani (333), Iraku (187), ndërsa nga vendet tjera numri është më i vogël.