Besar Ademi
19 shtator 2015•Përditësim: 19 shtator 2015
GJEVGJELI (AA) – Në vendkalimin kufitar greko-maqedonas edhe dita e djeshme kaloi pa turma të mëdha të refugjatëve. Ndryshe nga javët e kaluara kur ata prisnin gjatë, kalojnë kufirin qetësisht dhe shpejt, ndërsa mes policisë kufitare maqedonase dhe greke është krijuar një bashkëpunim i shkëlqyeshëm, raporton, Anadolu Agency (AA).
Refugjatët kalonin kufirin në grupe dhe dërgoheshin në qendrën e pritjes në Gjevgjeli, ku priteshin nga ekipe të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), Kryqit të Kuq dhe Organizatave Joqeveritare, të cilët ndanin paketa me ushqim dhe pije, si dhe informon për ndihmën e nevojshme.
Dielli i fortë dhe moti i ngrohtë që mbizotëronte gjatë ditës së djeshme me temperatura mbi 36 gradë, ishte një problem shtesë për refugjatët të cilët prisnin për të udhëtuar drejt veriut të vendit. Moti i nxehtë ishte një pengesë edhe për aktivistët të cilët përpiqeshin për të siguruar ujë dhe ushqim të mjaftueshëm në ato kushte të vështira. Sipas informacioneve nga punonjësit e Hekurudhave të Maqedonisë, gjatë 19 orëve nga Gjevgjelia për në Tabanoc janë transportuar dy trena me refugjatë, siç thonë ata, në trenin e dytë janë transportuar rreth 600 refugjatë.
Në një tren të mbushur përplot me refugjatë, dëgjoheshin ankesa se bileta për më Tabanoc është paguar 25 euro, megjithatë kishte nga ata që uleshin në korridore apo në pragun e derës. Në mesin e refugjatëve që udhëtonin me këtë tren ishte edhe Nadir-i, inxhinier elektrik nga Siria. Ai tha se ka dëgjuar fjalë se kufijtë e Hungarisë dhe Kroacisë janë mbyllur, por në vijim u shpreh se do të përpiqet të arrijë në ndonjërin vend të Evropës Perëndimore. Vendi i preferuar i tij është Gjermania, pasi që nga disa miq ka dëgjuar se në Gjermani kanë kushte të mira.
“Kemi dëgjuar në media se diku kufijtë janë të mbyllur, diku janë të hapur. Kemi dëgjuar se 9.200 refugjatë kanë kaluar kufirin kroat. Ne do të vazhdojmë përpara dhe shpresojmë të kalojmë kufirin“, tha Nadir-i, duke shtuar se udhëtimi nga Siria nuk ishte i lehtë, por se nuk ju mbetet rrugëdalje tjetër për të siguruar familjen dhe të ardhmen.
Refugjatët që hyjnë në territorin e Maqedonisë nuk dëshirojnë të flasin para mediave, sepse siç thonë, ajo mund të jetë e dëmshme për të afërmit e tyre që kanë mbetur prapa në vendet ku zhvillohen konflikte dhe luftë.
Përfaqësuese nga UNHCR – Maqedoni, Aleksandra Kraus, mëngjesin e djeshëm njoftoi se në 24 orët e fundit nga Greqia në territorin e Maqedonisë kanë hyrë rreth 4.800 refugjatë, ndërsa në ditët në vijim ajo pret një valë të re të madhe të refugjatëve.