Bekim Laci
05 Dhjetor 2015•Përditësim: 06 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë sot shënon Ditën ndërkombëtare të vullnetarizmit e cila shënohet edhe në rrafsh global pasi rreth 90 milionë vullnetarë të Kryqit të Kuq dhe Gjysëm Hënës së Kuqe kanë po aq tregime, pjesë e të cilave janë rrëfyer edhe në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
"Vullnetarizmi është mënyrë e jetës i cili përhap një mision tejet human duke bërë ndryshime në shoqëri" u tha mes tjerash në eventin e organizuar i cili korrespondon me 70 vjetorin e themelimit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, i cili për pesë vullnetarët më të mirë ndau mirënjohje për kontributin e tyre shoqëror.
Sekretarja e Kryqit të Kuq-Shkup, Suzana Tuneva-Paunovska në fjalimin e saj para të pranishmëve foli për angazhimet e vullnetarëve.
Ajo tha se vullnetarët bëjnë ndryshime në shoqëri në përputhje me nevojat lokale ndërsa shtoi se gjithmonë kur flasim për Kryqin e Kuq, ne flasim për shtyllat e tij, për njerëzit që japin kontributin personal në realizimin e misionit të organizatës.
"Ata janë të ndryshëm për nga gjinia, kombësia apo bindjet fetare por ata i bashkon një gjë, dhe kjo është se ata japin diçka nga vetja duke lënë gjurmë të pashlyeshme në bashkësitë ku jetojnë. Në Republikën e Maqedonisë ka 3 mijë e 500 vullnetarë aktiv dhe 8 mijë anëtarë të cilët paraqesin shembullin pozitiv të shoqërisë sonë", tha Paunovska e cila ndau mirënjohjet për pesë vullnetarët më aktiv.
Jane Denkoski mori çmimin për kontributin e veçantë për përhapje të vullnetarisë, aktiv që nga viti 1980, Dimitar Sokollovski aktiv që nga viti 1997 me pjesëmarrje të shumta nëpër aktivitete ndërsa veçohet kontributi i tij gjatë krizës së Kosovës.
Ivica Boshkov mori mirënjohje për mbi 30 dhurime vullnetare të gjakut, Krenar Hoxha është vullnetar prej vitit 2010 ndërsa mirënjohjen e meritoi me projektin për përkujdesje të peronave të moshuar dhe luftës kundër pedofilisë.
Ndërsa vullnetarit të pestë të cilit Kryqi i Kuq i dha mirënjohje është Gjorgji Jovanov. Ai veçohet për programet trajnuese për mbrojtje të të rinjve.