Betül Yürük
06 Tetor 2015•Përditësim: 06 Tetor 2015
GJENEVË (AA) - Organizata humanitare ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe paralajmëruan se rreth 60 milionë njerëz janë të prekur drejtpërdrejt nga uria në Afrikën Sub-Sahariane, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga zyra qendrore në Gjenevë, u njoftua se kapaciteti i prodhimit i sektorit të ushqimit në vendet afrikane në jug të Saharës bëhet gjithnjë e më i dobët dhe ky trend shqetësues është një kërcënim i madh për mbijetesën e popullsisë së këtij rajoni.
Kriza e mungesës së ushqimit në Afrikën sub-Sahariane është rritur edhe më tej për shkak të kushteve të përkeqësimit të motit, uraganeve të shpeshta, shirave të dendur, përmbytjeve, thatësirave dhe zjarreve. Madje, pritet që në vitet e ardhshme përkeqësimi i këtyre kushteve të vazhdojë.
Afrika Sub-Sahariane është zona që përfshin pjesën më të madhe të kontinentit afrikan, gjegjësisht të gjitha vendet afrikane, përveç Algjerisë, Marokut, Tunizisë, Libisë, Egjiptit dhe Afrikës së Jugut, me një popullsi prej rreth gjysmë miliard njerëz.
Periudha e ish shtypjes koloniale, shfrytëzimi, periudha post-koloniale, ndarjet si dhe krijimi i shteteve dhe kombeve të reja, janë një nyjë e vërtetë gordiane bujqësore, sociale dhe humanitare e krizës së kohës sonë.
Në shekullin 21 në Afrikën Sub-Sahariane janë afër 40 milionë njerëz në rrezik nga uria, ndërsa 30 milionë njerëz të infektuar me HIV.
Organizata Botërore për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) në studimin e saj "Bujqësia e Afrikës: 25 vitet e ardhshme ", në vitin 1986 arriti në përfundimin se Afrika Sub-Sahariane ka potencial për të rritur prodhimin e saj bujqësor në një mënyrë që shumë vende Sub-Sahariane do të mund të plotësonin nevojat e tyre.
Lufta kundër ndryshimeve klimatike apo rregullimi i ekonomisë në kushtet e reja është një faktor kyç për zhvillimin e rajonit të Afrikës. Zgjidhja qëndron në edukimin e popullatës dhe hulumtime bujqësore.
Shumë analistë botërorë vlerësojnë se pas transformimit të Afrikës nga kontinent i egër mistik në shoqëri moderne, ndryshimi nga territoret koloniale në shtete të pavarura, dhe përkatësia fisnore në përkatësinë e kombit në këtë pjesë të botës u shfaq si rilindje, por që nga ana tjetër, në përgjithësi ndodhi edhe transformimi i Afrikës, nga djep i njerëzimit në një vend ku njerëzimi dështoi.