Sıtkı Yıldız,Şener Toktaş
04 Dhjetor 2015•Përditësim: 04 Dhjetor 2015
VAN (AA) - Për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës në provincat Van, Bitlis, Mus dhe Hakkari në lindje të Turqisë, 678 fshatra janë paralizuar nga pjesa tjetër e vendbanimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga orët e hershme të mëngjesit 343 vendbanime në provincën Van janë paralizuar nga dëbora e madhe, pas së cilës ekipet e mbrojtjes civile lokale po përpiqen për të pastruar rrugët dhe rivendosur trafikun. Shoferëve pa pajisje dimërore nuk iu është lejuar të lëvizin në zonat më të larta.
Për shkak të reshjeve të mëdha sot në mëngjes janë anuluar fluturimet deri në qytetet turke, Stamboll, Ankara, Antali dhe Adana.
Sipas një deklarate të Institutit Rajonal Hidrometeorologjik reshjet e dëborës do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa priten edhe ngrica. Në deklaratë thuhet se erërat e fuqishme do të përfshijnë rajonin që mund të shkaktojë përmbysje të drunjëve, por edhe dëme materiale ndaj ndërtesave dhe rrugëve.
Sipas një deklarate të Zyrës së guvernatorit të Bitlis-it në lindje të Turqisë, pasi dëbora e madhe bllokoi 298 fshatra i shkëputi lidhjet e tyre me pjesën tjetër të qyteteve. Nga Instituti Meteorologjik në Bitlis thonë se shtresa e borës në qendër të qytetit arriti në 50 centimetra, kurse në zonat më të larta deri në 70 centimetra. Supozohet se reshjet do të vazhdojnë deri nesër pasdite.
Aksioni për pastrimin e dëborës në provincën Mus, i cili filloi mbrëmë vonë ende po vazhdon. Ekipet e Mbrojtjes Civile janë duke u përpjekur për të vendosur kontakt me nëntë fshatra të paralizuara.
Dëbora e madhe ka ndikuar negativisht në jetën në Hakkari, provincë ku për shkak të motit të keq janë bllokuar 10 fshatra dhe 18 vendbanime të vogla.
Në vendin Juksekova, në provincën Hakkari shtresa e dëborës prej 20 centimetrash bllokoi 15 persona në gjashtë automjete. Personat e bllokuar u shpëtuan nga ekipi i mbrojtjes civile.
Përfaqësuesit e pushtetit lokal thanë të hënën se dëbora në këtë rajon do të vazhdojë të bjerë edhe në ditët e ardhshme.