Besar Ademi
08 tetor 2015•Përditësim: 09 tetor 2015
GJEVGJELI (AA) – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) duke u bazuar në numrin e refugjatëve që kanë kaluar territorin e Maqedonisë javën e kalaur dhe në numrin e refugjatëve gjatë ditëve të fundit, pret që ditëve në vijim numri i refugjatëve të arrijë deri në 8 mijë persona në ditë, raorton Anadolu Agency (AA).
Udhëheqës terreni i UNHCR-së për Maqedoninë, Lorenzo Leonneli, theksoi se ditën e djeshme në qendrën për pritje të refugjatëve janë pranuar rreth 8 mijë refugjatë, ndërsa nga mbrëmja e kaluar deri më tani janë pranuar rreth 6 mijë refugjatë.
“Ky është një numër i madh dhe në orët e ardhshme presim të arrijnë mijëra të tjerë. Ditën e djeshme numri i refugjatëve që kemi pranuar ishte rreth 8 mijë persona. Kjo është vetëm për 24 orët e fundit dhe është një numër me të vërtetë i lartë”, tha Leonneli, duke shpjeguar se javën e kaluar në baza ditore nuk kalonin më shumë se 4 mijë refugjatë.
Leonneli pret që ditëve në vijim numri i refugjatëve të rritet, por theksoi se ekipet e UNHCR-së që ndodhen në terren janë të gatshëm për tu ballafaquar me këtë numër dhe për të përmbushur nevojat e refugjatëve. “UNHCR në Maqedoni përpiqet të ofrojë shërbime themelore për refugjatë në aspektin e asistencës mjekësore, në nevoja ushqimore dhe në mbathje”, u shpreh ai.
Abud Naser nga Siria, i cili ishte në pritje të trenit për të vazhduar udhëtimin drejt Gjermanisë, tha se momenti më i vështirë në udhëtimin e tij ishte kur anija që i tranportonte nga Turqia për në Greqi mbeti pa gaz.
“Rruga nga Turqia për në Greqi ishte shumë e vëshrirë. Diku rreth 50 persona udhëtonim me një anije, përfshirë, gra, fëmijë dhe të moshuar. Anija ndaloi diku në det, por fatmirësisht një anije tjetër nga Greqia na ndihmoi për në Greqi”, tha Abud Naser.
“Të gjithë jemi larguar për një jetë më të mirë. Liderët politik të Sirisë, Iranit dhe Irakut më së paku të kërkonin falje nga ne, asgjë më shumë”, u shpreh Mahmud nga Siria.
“Nuk është problem se ku do të arrijmë, në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër. Mua më nevojitet vetëm një jetë më e mirë, një jetë më e mirë”, tha një refugjatë nga Afganistani.
“Jemi një grup prej 40 personash, që kemi udhëtuar së bashku nga Stambolli. Në Greqi jemi trajtuar si kafshë, ndërsa këtu në Maqedoni jemi duke kaluar më mirë”, tha një sirian tjetër.