Besar Ademi
10 tetor 2015•Përditësim: 12 tetor 2015
GJEVGJELI (AA) – Ditëve të fundit fluksi i refugjatëve në Maqedoni është në rritje, ndërkohë nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) thonë se për çdo ditë pritet të kalojnë prej 6 deri në 8 mijë refugjatë. Në fytyrat e refugjatëve që hyjnë në territorin e Maqedonisë vërehet qartë një trishtim dhe frikë për të ardhmen e tyre.
Anadolu Agency (AA) duke vëzhguar situatën në qendrën për pritje të refugjatëve takoi një ekip profesional nga organizata Clowns Without Borders (Klloun pa kufij), të cilët para refugjatëve të trishtuar performonin shfaqje gazmore me qëllim për të lehtësuar vuajtjet e tyre. Refugjatët, veçanërisht fëmijët të cilët gjatë udhëtimit kanë përjetuar trauma të ndryshme, argëtoheshin me shfaqjet dhe lëvizjet profesionale të tyre, si dhe në fytyrat e tyre mbizotëronte buzëqeshja dhe harronin momentet e vështira të të kaluarës së tyre.
“Nuk duhet ndodnjë angazhim i madh për t’i bërë fëmijët të lumtur, vetëm një buzëqeshje e sinqertë e zgjidh rolin tuaj në botën e tyre”, thekson Victoria, klloun nga Spanja, e cila para dy dekadave ka performuar edhe në Ballkan, gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, me dëshirën e vetme, për të argëtuar fëmijët refugjatë.
“20 vite më parë kam punuar me refugjatë në Bosnje dhe në disa vende tjera ku kishte luftë. Gjithçka që nevojitet për këta fëmijë është dashuria dhe përpiqemi që t’ua lehtësojmë vuajtjet fëmijëve. Situata është tepër e komplikuar, ndërsa fëmijëve kudo që të jenë, duhet tu tregojmë dashuri dhe lumturi”, tha Victoria.
Victoria shtoi se gjatë përvojës së saj 20 vjeçare me këtë organizatë ka performuar edhe në Kosovë, Kolumbi, Palestinë, Izrael dhe Liban.
Kolegu i Victoria-s, Luis-i, theksoi se ndjehet i lumtur për arsye se fëmijët argëtoheshin me lëvizjet e tij. “Ky është udhëtimi im i parë me kllounë. Mendoj se jemi duke bërë një punë të shkëlqyer, pasi që për këta fëmijë është e rëndësishme që dikush t’i bëj të lumtur dhe t’i bëj të ndjejnë dashuri”, u shpreh ai.
Clowns Without Borders është një organizatë jo-fitimprurëse e themeluar në vitin 1993 në Barcelonë. Kjo organizatë ofron shfaqje gazmore, me qëllim lehtësimin e vuajtjeve për personat që jetojnë në zona të krizës dhe konfliktit, përfshirë kampet e refugjatëve. Ata kanë performuar edhe në kampin e refugjatëve në Kroaci para 700 fëmijëve, ndërsa nga koha e themelimit të organizatës deri më sot kanë punuar programe argëtuese për rreth katër milion fëmijë, duke interpretuar në më shumë se njëqind vende të botës.