Fatjon Cuka
11 tetor 2015•Përditësim: 12 tetor 2015
TIRANË (AA) – Gjatë orëve të fundit disa zona në Shqipëri janë përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku në disa qytete janë shkaktuar edhe probleme nga përmbytjet. Ndërsa në qytetin e Vlorës si pasojë e motit të keq ka humbur jetën një person, raporton Anadolu Agency (AA).
Mësohet se shtetasi L.Qarri ka qenë brenda automjetit të tij kur e ka marrë rrjedha e një përroi në Radhimë të Vlorës, ndërsa trupi i tij i pa jetë është gjetur në orët e paradites së të dielës.
Ndërkohë disa familje në Vlorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, për shkak të përmbytjeve të banesave, ndërsa në Fier është rritur prezenca e ujit në lumin Gjanica.
Sipas të dhënave paraprake nga policia shqiptare probleme me reshjet e shiut janë shkaktuar në qytetet e Fierit, Skraparit, Vlorës, Lushnjes, Ersekës, etj. Në disa nga lagjet e këtyre qyteteve ka patur prezencë të madhe të ujit, ndërkohë ka edhe segmente rrugore ku ka prezencë të gurëve dhe dheut nga rrëshqitjet.
Reshjet e shiut kanë filluar që gjatë të shtunës, duke vazhduar edhe gjatë natës në disa zona në veri, por edhe në jug të vendit.